DYLON

Reagon Vetëvendosje, pati shkelje ligjore e statutare në punën e Kuvendit

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Në Lëvizjen Vetëvendosje-Qendra në Dardanë thonë se me shqetësim po i ndjekin zhvillimet në institucionet komunale,konkretisht punimet në mbledhjen e parë  të Kuvendit të Komunës së Dardanës me këtë rast vlerësojnë se pati shumë shkelje ligjore dhe shkelje statutare siç ishin: ndryshimi  i statutit të Komunës së Dardanës pa debat  me qytetarë dhe shoqërinë civile.

Arsim Thaçi  këshilltar i kuvendit komunal nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se këto shkelje u bënë për interesa të ngushta të këtij koalicioni PDK-AKR-AAK-GIZK(serbët),dëshira për të formuar sa më shumë drejtori në mënyrë për  t’i përmbushur qëllimet e pushtetarëve dhe apetitet e  këtij koalicioni  joparimorë!

EkoHigjiena

Sipas tij, ky koalicion në vend që të reduktojë shpenzimet në administratë dhe personel  vetëm  po i rritë ato dhe kështu po thellon humbjet në buxhet. Kjo gjë është kundërligjore,sepse një komunë me rreth 35.000 banorë sa i ka Komuna e Dardanës  dhe me territor  të  tkurrur nga procesi i dëmshëm dhe i padrejtë i decentralizimit  me 58 vendbanime,nuk duhet te ketë më shumë se 5+1 drejtori,e jo sa ka tani 11, një më pak  sesa  komuna  më e madhe në shtet, Komuna e Prishtinës.

Thaçi po ashtu ka thënë se dhënia e dy pozicioneve drejtuese minoritetit serb është në kundërshtim me ligjin për  vetëqeverisjen lokale të Republikës së Kosovës dhe statutin e Komunës së Dardanës, njërin në legjislativ:zëvendëskryesuesin  e Kuvendit të Komunës si dhe tjetrin në ekzekutiv: nënkryetarin e dytë të Komunës së Dardanës.

Sipas tij, këto dy pozita pakicës serbe më nuk iu takojnë,ngase në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011,numri i popullsisë së kësaj pakice nuk arrin as në 5% nga ku rrjedhimisht dhe ligjërisht më nuk iu takojnë këto pozicione, por, koalicioni PDK-AAK-AKR, i bëri këto shkelje për shkak të përmbushjes së apetiteve të listës serbe GIZK,ngase dy mandatet qe i ka kjo listë i duhen këtij koalicioni dhe kryetarit Sinani për të bërë votat e sigurta në kuvend për pazaret e dëmshme në dëm të interesave të qytetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje! e përfaqësuar në Kuvendin e Komunës me një mandat këshilltari i kundërshtuam këto veprime,bashkë me grupin kuvendar  të LDK-së,por,koalicioni qeverisës me 17 vota na mbivotoi dhe e bëri të veten.

I pakënaqur me zhvillimin e mbledhjes dhe me sjelljen e kryesuesit të kuvendit,anëtari i Lëvizjes vetëvendosje në Kuvendin e Komunës, Arsim Thaçi në shenjë proteste e lëshoi mbledhjen.

Edhe gjatë zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Dardanës pati disa procedura të parregullta zgjedhore,ku në fletëvotimin e hartuar për kandidatin për kryesues, kishte paqartësi për mënyrën e votimit,pra,kishte vetëm një rubrike(katrorë) dhe nuk theksohej se si të votohej,mungonin rubrikat(katrorët) për votimin kundër dhe për ambstenim.

Sipas vetëvendosjes, për të përmbushur apetitet e aleatëve të tij,kryetari Sinani bëri shkelje të dispozitave ligjore në fuqi kur emëroi zëvendëskryetarin dhe nënkryetarin nga anëtarët e koalicionit të tij(AAK-AKR),në kundërshtim të plotë me ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe statutin e Komunës së Dardanës.

Vërejtje tjetër shumë serioze ishte që nuk ka xhirime të plota dhe të rregullta për zhvillimin e seancës të Kuvendit të Komunës,si dhe pasqyrimi i atyre xhirimeve e lajmeve dhe njoftimeve në mënyrë  të njëanshme në vebfaqen e komunës, ku mungon thelbi i zhvillimit të mbledhjes,diskutimet dhe propozimet e opozitës nuk figurojnë fare!

“Qytetarët e Komunës së Dardanës dhe opinionin e gjerë askush nuk guxon ta privojë nga e drejta e tyre për t’u informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga punimet dhe zhvillimet e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Dardanës. LVV-ja,si opozitë konstruktive në Kuvendin e Komunës së Dardanës krejt këto shkelje do t’i adresojë në MAPL dhe në Gjykatë,për t’i ndalur hovin paligjshmërisë së filluar në Komunën e Dardanës me këtë pushtet të ri çoroditës”, thuhet në një reagim të kësaj Lëvizje.

Vetëvendosje,  thotë se do të punojë dhe angazhohet gjithmonë në interes të qytetarëve dhe për forcimin e institucioneve të komunës dhe zbatimin e ligjshmërisë së plotë në Komunën e Dardanës. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.