Ndonjëra me shami, të tjerat pa te. Disa anëtare aktive të partive e disa të tjera të inkorporuara më vonë. Ka prej tyre që fituan betejën karshi shumicës meshkuj, ndonjë tjetër nuk arriti të depërtoj.
Disa si nëna të zellshme e të tjerat edhe zëra të fuqishëm në shoqërinë tonë. Gjithsesi “Hava” kosovare është në skenë. Kosovarja është bërë zë i fuqishëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 po mbahen në një kohë mjaft të ndjeshme për Kosovën. Ekziston një pakënaqësi e madhe mes qytetarëve për gjendjen sociale, ekonomike dhe politike në vendin tonë.
Politikanët e gjertanishëm kanë dëshpëruar qytetarët duke i neglizhuar çështjet elementare që e shqetësojnë qytetarin sot. Përderisa papunësia dhe kriza ekonomike në vend po rriten, klasa politike në Kosovë po ushqen popullin me numra që janë larg realitetit të vendit tonë.
Femra e Kosovës po kërkon ndryshime. Mendoj se ka ardhur koha kur qytetarët duhet tu japin votën femrave për ndryshime të nevojshme. Vendi ynë ka nevojë edhe më shumë për prezencën e saj në pozita institucionale. Koncepti demokratik mbi shoqërinë arrihet kur legjislacionet dhe politikat vendosen bashkërisht nga femrat dhe meshkujt.
Mbase, edhe Islami u dha të drejta të barabarta atyre, duke bërë që Zoti t’i dalloj njerëzit vetëm sipas punëve dhe moralit të tyre. Sikur edhe në familjet tona, ku gruaja së bashku me burrin vendosin bashkërisht për të ardhmen e familjes, edhe në jetën politike e sociale duhet që meshkujt së bashku me femrat të punojnë në atë mënyrë që t’i sjellin stabilitet më të madh këtij vendi.
Roli i grave në politikë kërkon që ato të jenë aktive në qarqet në të cilat jetojnë dhe punojnë. Atyre u dëgjohet zëri në familjet e tyre, miqtë e tyre dhe në çdo mes ku ajo gjendet gjatë thirrjes së saj për punë dhe drejtësi.
Është e domosdoshme që ato të inkurajohen në këtë kauzë fisnike, sepse, ato mund t`ia dalin. Marrja e kësaj përgjegjësie të madhe nga gruaja, krijon një brez të ri aktoresh, politikisht të vetëdijshëm dhe aktivë në krijimin e një modeli të ri të menaxhimit të atyre pozitave ku ajo bindshëm mund të triumfoj.
Të themi edhe këtë; Shoqëria jonë deri vonë i ka trajtuar femrat në mënyrë jo të barabartë me meshkujt. Femra në shoqërinë kosovare ka qenë e shtypur, e thirrur “rob” dhe objekt martese. Asaj, fare pak i është dhënë hapësirë të merr pjesë në vendimmarrje. Stereotipet kundrejt femrës dhe pozitës së saj në poste publike janë një realitet i hidhur që përcjellët nga frika e dështimit, frika e paragjykimeve.
Femrat kanë rast të përfitojnë nga këto zgjedhje për shumë arsye. Nën një, duhet të kujtojnë se gjysma e elektoratit ne Kosovë janë femra dhe aty ka një potencial që të zgjojnë një numër të madh të tyre që t’i përkrahin ato.
Nën dy, lirisht mund të argumentoj se femrat, si gra dhe si nëna që janë, ato janë më të përkushtuara dhe më të afta për t’i caktuar prioritet që e brengosin popullit tonë. Për shembull, raporti i fundit i përpiluar nga “Women for Women International” tregon se çështja kryesore që shqetëson gruan në Kosovë është papunësia. Pra, është një çështje që identifikohet si prioritet nga gruaja kurse neglizhohet nga pushtetarët.
Gruas shqiptare duhet t’i ofrohet rasti që të marr pjesë në proceset politike në vend sepse atributet e tyre janë të pamohueshme. Janë këto gra e nëna që rrinin të uritura për të na ofruar kafshatën e fundit, janë ato nëna që rritën heronjtë dhe mendjet e ndritura të këtij vendi, dhe është përkushtimi i po atyre nënave që qëndrojnë të palëkundura para institucioneve qe sa vite për të kuptuar fatin e familjarëve që u zhdukën në luftën e fundit.
Përfundimisht, votuesit në zgjedhjet e 11 Qershorit, duhet të votojnë më shumë femra në parlament, që të ofrojnë zërin e arsyes në pushtet për një mirëqenie më të mirë për gjithë qytetarët.
Margaret Thaçer, ish kryeministre e Britanisë se Madhe e përmbledh bukur këtë argument duke shtuar se: “në politikë, nëse kërkoni fjalë pyetni meshkujt, nëse kërkoni punë, pyetni femrat ”. Populli është lodhur me fjalë, kërkon punë!
Në fund të fundit, duke ditur se zgjedhjet janë ndër ngjarjet më të rëndësishme në një shoqëri, duke ditur se ato tregojnë fundin e një jete politike dhe fillimin e një tjetre të re dhe duke mos harruar se zgjedhjet mobilizojnë fuqishëm qytetarët drejt detyrave të reja, them se femrës duhet ofruar mundësi që si faktor i rëndësishëm i shoqërisë, së bashku me meshkujt të krijojnë shpresa dhe mundësi të reja për të mirën e këtij vendi. Ajo do të krijojë energji për të promovuar ide të reja, bindje të fuqishme, e para së gjithash do të ofrojë ide përparimtare në favor të mbarë shoqërisë kosovare.