Shkruan: Faton Bislimi
Zgjedhje të Lira dhe Historike?
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sikurse edhe balotazhi i 1 dhjetorit, shënuan zgjedhjet e para të lira e demokratike të mbajtura në të gjithë territorin e Kosovës. Me gjasë, për shkak të këtij përceptimi, ato edhe po llogariten si historike. Them përceptim, pasi që në themel, zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, por edhe nëpër disa komuna tjera në jug të Ibrit, po ashtu me shumicë serbe, zgjedhjet jo domosdoshmërisht ishin të lira. Sikur në kandidatët ashtu edhe në preferencat e votuesëve në këto komuna, influence të rëndësishme dhe kryesore pati një shtet i huaji, Serbia. Andaj, se sa të lira ishin këto zgjedhje, të paktën në aspektin esencial të fjalës, mbetet cështje e hapur.
U vlerësuan si zgjedhje historike, pasi që sipas Prishtinës zyrtare, ato futën edhe serbët e Kosovës, e veçanerisht ata të komunave në veri të vendit nën ombrellën e institucioneve dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të balotazhit, në shumicën e komunave me shumicë serbe fituan kandidatët për kryetar nga rradhët e Listës “Sërbska,” iniciativë politike kjo kryekëput e themeluar, udhëzuar, e përkrahur nga Beogradi, të cilët deklaruan se do të jenë në shërbim të Serbisë dhe se asnjëherë nuk do ta njohin “të ashtuquajturën pavarësi dhe shtetësi të Kosovës.”
Deri më tani, këta kryetar komunash llogariteshin si jolegjitim, si dhunues të rendit kushtetues të Kosovës, por tani që iu ‘nënshtruan’ procesit zgjedhor në Kosovë, ata janë legjitim dhe si rezultat i marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes të Prishtinës e Beogradit, këta kryetarë komunash me shumicë serbe në Kosovës do të themelojnë edhe Asociacionin apo Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, një mekanizëm ky që, siç kam thenë edhe më herët, rrezikon të defunksionalizojë edhe më tutje Kosovën si një shtet unitar. Nëse në statutin e këtij asociacioni nuk përkufizohen mirë dhe kjartë të drejtat, përgjegjësitë, dhe funksionet e tij, ky asociacion shumë shpejtë mund të dale komplet nga rendi kushtetues i Kosovës dhe të kthehet në një bazament mbi të cilin do të ndërtohet një entitet i posacëm serb brenda Kosovës. Serbët këtë e kanë kalkuluar shumë mirë, si duket. Ata e kanë parë, tanimë nga përvoja, se cfarëdo sistemi ilegal që ata krijojnë në Kosovë, fillimisht do të refuzohet e injorohet nga autoritetet kosovare por edhe ato ndërkombëtare, mirëpo pas një kohe, të njejtit, përmes procesit dialogues, do të legjitimohen në një mënyrë apo në mënyrën tjetër si faktorë në kuadër të shtetit të Kosovës. Kështu ndodhiu thuajse me sistemin paralel komunal serb në veri, tash e njejta po bëhet me inkuadrimin e pjesëtarëve të deritashëm të MUP-it në Policinë e Kosovës, etj. Pse, atëherë, të mos shpresojnë dhe punojnë serbët që edhe ‘asociacionin’ e tyre një ditë ta kthejnë në një mini-shtet, apo rajon autonom brenda Kosovës, por me lidhje direkte me Serbinë?!
A Fituan të Gjithë?
Ndërsa, në pjesët tjera të Kosovës, duket se procesi zgjedhor kaloi pa ndonjë problem madhor. Kurse, e veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte se ato prodhuan një rezultat kompleks dhe jo lehtë të kapshëm për shumëkë, e aq më pak për politikanët. Shumë matematika të paraplanifikuara nuk dolën askund. Shumë bastione u shembën? Ajo që duket kjartë, sidoqoftë, është fakti se votuesit ndërruan pushtetin lokal në shumicën e komunave. Pushtetarët, zakonisht, u dënuan dhe si rezultat fituan kundërkandidatët e tyre. Kjo posaqërisht vlenë për rezultatet e balotazhit, ku përjashtim bën Prizreni, nga të gjitha komunat e mëdha të Kosovës që shkuan në balotazh. Por, nuk është larg mendëve që edhe Prizreni do kalonte në duart e taborrit opozitar, LDK-së në këtë rast, sikur këta të fundit të kishin paraqitur një kandidaturë të re, më energjik, më gjerësisht të pranueshëm për shumicën e prizrenasëve.
Në anën tjetër, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Mitrovicë, Gjakovë, Viti, Suharekë, Lipjan, Pejë, e Malishevë, partitë që paten pushtetin në përgjithësi u ndëshkuan dhe në krye të këtyre komunave erdhën kandidatët nga taborret opozitare. Partia nuk bëri përjashtim këtu—pushtetarët e ndëshkuan, qofshin ata të LDK-së, PDK-së, apo AAK-së. Ky fakt tregon për një ngritje të vetëdijes qytetare në Kosovë, të paktën vis-à-vis pushtetit. Ata votuan për rrokadë pushteti. Prandaj, ua pamundësuan partive të flasin për favorizim elektoral të njërës apo partisë tjetër. Të gjitha partitë në pushtet, përgjithësisht, u ndëshkuan. Psh. LDK humbi Prishtinën, Kamenicën, Obiliqin, e Novobërdën, por fitoi Gjilanin, Pejën, Vitinë, Lipjanin, Suharekën, dhe Ferizajn; PDK humbi Malishevën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, Vitinë, por fitoi Kamenicën, Rahovecin, si dhe mbajti Prizrenin, Klinën, Vushtrinë, e Dragashin; AAK humbi Pejën, Rahovecin, Suharekën, e Gjakovën, por fitoi Obiliqin dhe mbajti Junikun; kurse për here të parë në krye të komunave vijnë kandidatët e Vetëvendosjes (Prishtinë) dhe AKR-së (Gjakovë e Mitrovicë).
Andaj, rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk i japin komoditet asnjë partije politike. Realisht, këto rezultate japin rast të mirë për partitë politike që të fillojnë të mendojnë kritikisht në lidhje me raportet e tyre me votuesit si dhe në lidhje me organizimin e tyre të brendshëm. Përkundër kësaj harte të re politike në vend të prodhuar nga rezultatet e zgjedhjeve lokale, edhe PDK edhe LDK, edhe AAK, por edhe Vetënvedosje e AKR thonë se kanë dalë fituese. Por, a janë realishtë të gjithë fitues?
PDK: Përtej Drenicës Krenare!
PDK thot se është partia e parë për nga numri i votuesëve në tërë Kosovën, duke e nxjerrë këtë shifër nga votat e qytetarëve për asambletë komunale. Ky fakt qëndron. Realisht, PDK ka marrë rreth dhjetë mijë vota më shumë se partia kryesore rivale, LDK, në zgjedhjet për asamble komunale. Tutje, PDK vazhdon të qeverisë me numrin më të madh të komunave në Kosovë, dhjetë sosh, një më shumë se rivalja LDK që do të qeverisë me nëntë sosh. Por, a duhet të llogaritet ky fakt si fitore e PDK-së, kur ajo humbi qeverisjen në disa qendra kryesore të Kosovës si në Gjilan, Ferizaj, e Mitrovicë? A e ka forcuar ky rezultat PDK-në, kur kësaj i shtohet edhe fakti që humbi edhe Malishevën në mes të Drenicës? Çarjet tanimë të dukshme në PDK, e veçanërisht largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit si dy figura kyçe të partisë që nga themelimi i saj, duket të kenë dhënë efektet e para negative për partinë e kryeministrit Thaçi. Përderisa PDK ndihet komod që ende ka më shumë vota (nga rezultatet e zgjedhjeve për asamble) se partitë tjera, ajo nuk mund të llogaritë në këtë komoditet për të fituar edhe njëherë zgjedhjet nacionale që po afrohen shpejtë. Në shumë komuna kryesore ku PDK ka humbur primatin dhe qeverisjen, ajo do të dobësohet edhe më shumë sepse aty do të ndodhin rirreshtime politike. Grupe të ndryshme të interesit tanimë do të kalojnë në taborret e fitimtarëve, duke ia khtyer shpindën PDK-së që ishte në pushtet deri më tani. Të tjerë do të shfrytëzojnë humbjen e partisë nëpër këto qendra për të avancuar intereset e veta dhe si rezultat mund të çojnë në çarje edhe më të thella partiake. Psh, a nuk mund të thot Zenun Pajaziti dhe përkrahësit e tij se sikur paria e partisë të kishte kandiduar me Pajazitin në Gjilan, sot PDK ende do të kishte pushtetin aty? Të njejtën dilemë mund ta ngrisin edhe njerzit e Xhevat Bislimit në Viti, apo ajo? Dilema të ngjashme mund të ngrisë edhe disfata e gjeneralit në Prishtinë. Prandaj, PDK-së i ka dale kogja punë tani për të rimëkëmbur edhe njëherë të gjitha strukturat partiake, për t’i ruajtur ato (që mos t’i përsëritet ndonjë ‘Malishevë’ tjetër), dhe për ta rigjeneruar partinë. Gjerësa të udhëheq me qeverinë e Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka mundësinë që të ‘rehatojë’ shumë nga këta të pakënaqur nëpër pozita publike. PDK po ashtu do të duhet të tregohet e kujdesshme edhe në rigjenerimin e rradhëve partiake. Ajo ka pasur prurje të reja, por shumica e tyre janë fokusuar në Prishtinë. PDK tani duhet të atraktojë gjak të ri edhe nëpër komunat tjera, në përpjekje për të rritur suksesin politik në betejat e ardhëshme zgjedhore.
LDK: Larg Duket Kryeqyteti!
LDK thot se tanimë është partia e parë në Kosovë, dhe këtë shifër të fitorës duket se e nxjerrin nga përqindja e votuesëve të tyre në garën për kryetar komunash ku kandidatët e LDK-së për kryetar komune, në nivel vendi, kanë marrë më shumë vota se ata të rivalit kryesore, PDK-së. Ky fakt poashtu qëndron. Tutje, LDK shënoi fitore bindëse në Gjilan dhe mori qeverisjen edhe në disa qendra kryesore të Kosovës si në Pejë e Ferizaj. Tani, ajo do të qeverisë në nëntë komuna në vend. Por, LDK dhe mbi të gjitha, lideri i saj, Isa Mustafa, humbi në Prishtinë. A e kompenzojnë humbjen e Prishtinës, kryeqendrës së Kosovës që LDK e qeverisi pandërprerë pas luftës, e veçanërisht liderit Mustafa, fitoret në komunat tjera të Kosovës? LDK edhe nën udhëheqjen e Mustafës, përkundër premtimeve të panumërta, asnjëherë nuk arriti të çojë deri në fund reformat e shumë përfolura partiake. Disa mburren me fitoren e LDK-së nëpër shumë komuna dhe rritjen e numrit të votave që kjo parti ka marrë tani duke e krahasuar atë me numrin e votave të zgjedhjeve të vitit 2007 e 2009, duke harruar rrethanat në të cilat LDK ishte në atë kohë, veçanërisht pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe ndarjes thuajse në dysh të partisë me krijimin e LDD-së. Me kalimin e kohës dhe rënien e përkrahjes elektorale për LDD-në, normalisht se është përmirësuar përkrahja elektorale për LDK-në. Por, edhe LDK mbetet larg prej komoditetit se do të fitojë zgjedhjet nacionale. Nuk është racionale të mendohet se votat e dhëna për kandidatët për kryetarë të LDK-së nëpër shumë komuna ku ata fituan janë domosdoshmërisht vota të LDK-së. Një pjesë e madhe e këtyre votave kanë qenë vota kundër pushtetit të deritanishëm në ato komuna. Prandaj, nuk mund të llogariten këto vota si përkrahje direkte për LDK-në edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Psh, të gjithë ata që votuan kandidatët e LDK-së në balotazh për të marrë pushtetin kundrejtë atyre që po kërkonin vazhdim të mandatit, jo domosdoshmërisht do e votojnë LDK-në në zgjedhjet nacionale. Sidoqoftë, inercioni është pozitiv për LDK-në dhe nëse shfrytëzohet mençur, ajo mund të ketë sukses në zgjedhjet nacionale. Mirëpo, edhe LDK-së i ka dale kogja punë pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, përtej humbjes së Prishtinës. Jo në të gjitha komunat ku kandidatët e saj kanë fituar do të mund të rehatohen të gjithë ata që llogariten, ose vetllogariten, si faktorë kyç të fitores. Pushteti rritë lakminë. Lakmia e tepërt mandej mund të çojë në prishjen e rradhëve të partisë fituese. Dhe, kjo do të ishte e padëshiruar në prag të zgjedhjeve nacionale. Andaj, LDK-së i duhet që të rigjenerohet dhe që në pushtetet lokale ku ka marrë timonin të ofrojë njerzë profesionistë, të rinj, dhe të përkushtuar për qeverisje të mirë, efikase, dhe efektive.
AAK: Atij Anekënd i Këndojmë!
AAK thot se ka shënuar rritje të konsiderueshme si parti dhe tanimë është konfirmuar fuqishëm si forca e tretë politike në vend. Ky rezultat duket se nxirret nga numri i votave të fituara në zgjedhjet për asamble komunale. Dhe, ky fakt qëndron. Tutje, AAK fitoi edhe Obiliqin dhe vazhdoi qeverisjen në Decan e Junik. Por, ajo humbi Gjakovën dhe Pejën, dy komuna të mëdha të Kosovës këto që konsiderohesh bastione të saj. A kompenzohen humbjet në këto dy komuna me fitoren e AAK-së në Obiliq dhe rritjen e numrit të asambleistëve të vet në nivel vendi? A e ka të sigurtë AAK, realisht, pozitën e të tretit në skenën politike tanimë? Rezultatet tregojnë se lavdia dhe meritat e luftës të kryetarit Ramush Haradinaj, përkundër faktit që janë pjesë e përherëshme e historisë sonë më të ndritur, nuk mund të shërbejnë tutje si kartë e sigurtë për fitore në zgjedhje as edhe në Dukagjin. Përceptimi në publik se AAK qëllim të parë dhe të fundit ka ardhjen në pushtet (veçanërisht atë qendror) përmes çfarëdo lloj matematike a koalicioni qoftë edhe me PDK-në, menjëherë pas kthimit triumfal të Haradinajt nga Haga, dëmtuan rolin e një opozitari të mirëfilltë për këtë parti. Dihet se 100 ditët e udhëheqjes së qeverisë nga Haradinaj kanë patur efektin e vet dhe vlerësohen për së mbari. Roli i tij prej në burrshtetasi që vë në vend të parë shtetin u dëshmua edhe kur ai la postin e kryeministrit dhe u vetdorëzua në Hagë. Por, partia iu dëmtua nga mungesa e tij gjatë kohës sa Haradinaj ishte padrejtësisht i paraburgosur në Hagë. Tani e tutje AAK-së i duhet të flasë më një zë të kjartë dhe solid. E ardhmja e saj do të përcaktohet nga drejtimi që partia do të marrë në përgatitje për zgjedhjet nacionale dhe roli që ajo do të luajë në komunat ku është pjesë e opozitës dhe në ato ku është pjesë e pushtetit.
AKR: Alternativa Kështu Rilindë!
AKR, e cila deri më tani nuk ka udhëhequr me asnjë komunë të Kosovës, tash e tutje e ka rastin të drejtojë dy komuna të mëdha të vendit—Gjakovën dhe Mitrovicën. AKR është fituese në garët e balotazhit sepse në të dy komunat ku ishte në balotazh, ajo korri fitore. Por, a e kompenzojnë këto dy fitore trendin në rënje të përkrahjes elektorale të AKR-së që nga themelimi i saj? AKR-në e pret punë e madhe në të dyja këto komuna. Ajo ka pak kohë që deri në zgjedhjet nacionale të vitit që po vjen të tregojë vehtën në këto dy qendra. Sidoqoftë, rastin e ka. Si partia me fokusimin më dinjitoz në program të zhvillimit ekonomik, AKR tani duhet të dëshmojë gatishmërinë e vet, përkushtimin e vet, dhe punën e ndershme që gjithëherë e ka proklamuar. Gjakova dhe Mitrovica, e sidomos Gjakova (pasi që në Mitrovicë koalicionet e para-balotazhit e veshtirësojnë punën e kryetarit të ri, i cili siç duket nuk do ta ketë shumicën në asamble) janë raste për t’i kthyer postulatet e AKR-së në punë praktike për interesa të qytetarëve. Lideri i AKR-së, ish-Presidenti Pacolli, ka vizion për zhvillim ekonomik dhe, kohëve të fundit sidomos, ka treguar një virtyt të lartë prej një politikani gjithëpërfshirës duke iu krijuar mundësi shumë të rinjëve të kyçen në skenën politike përmes AKR-së dhe me pëkrahjen e AKR-së. Partia e drejtuar nga ish-Presidenti Pacolli ka treguar vullnet për rimëkëmbje dhe shenja për rritje si forcë politike e moderuar. Prurjet e fundit në AKR janë nismë e mirë, e cila nësë vazhdon ka mundësi që t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes dhe sforcimit politik të partisë. Intensiteti i punës në këtë parti duhet të rritet dhe assesi të bije tani duke gjetur kënaqësi në fitoren e dy komunave. Besimi se fitorja në Gjakovë dhe Mitrovicë janë “kartë e gjeblër” për zgjedhjet nacionale është i pabazë. Psh, a mendoni se të gjithë ata që i votuan kandidatët e AKR-së për kryetarë në ato dy komuna ku edhe AKR triumfoi, domosdoshmërisht do e votojnë AKR-në në zgjedhjet e afërta nacionale? Përgjigja dihet. Prandaj, kjo fitore e AKR-së është vetëm hapi i parë i rifuqizimit politik të saj. Hapat tjerë pritet të shihen në ditët dhe javët në vijim, dhe po këta hapa do të jenë vendimtarë për rezultatin e AKR-së në zgjedhjet nacionale. Nëse paria e kësaj partie e tejshijon fitoren e 1 dhjetorit, duke lënë anash angazhimin për rigjenerim dhe riorganizim të partisë nëpër të gjithë Kosovën, rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme nacionale mund të jenë jo të mira për të.
LV: Lëkundjet Vazhdojnë…
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shkuar në balotazh në asnjë komunë, pos kryeqytetit ku edhe kandidati i saj fitoi balotazhin. Të fitosh karrigën e të parit të kryeqytetit është kogja fitore. Por, a e kompenzon kjo fitore rënien e ndjeshme që Vetënvedosje ka pësuar gjithandej Kosovës në aspektin e përkrahjes elektorale? Fitora e postit të kryetarit të kryeqytetit është aq e madhe sa edhe sfida që vije me të, pasi që numrat në asamble nuk shkojnë në favor të Vetëvendosjes nëse kjo e fundit nuk bënë “pazar politik” për ndarje të pushtetit me ndonjërën ose me disa nga forcat politike të përfaqësuara në kuvendin komunal të Prishtinës. Tutje, diferenca aq e madhe në mes të numrit të votave që Shpend Ahmeti mori në balotazh dhe atyre që Vetëvendosje mori për asamble komunale janë indicator i fuqishëm i orientimit të një pjese të madhe të votes prishtinase më shumë kundër pushtetit të deritanishëm se sa pro Vetëvendosjes. Kuptohet dhe duhet të ketë qenë e pritshme se një pjesë e madhe e votuesëve të partive kryesore rivale të LDK-së, e veçanërisht i atyre të PDK-së, në balotazh do të votonin Ahmetin kundrejtë Mustafës, me qëllim të vetëm humbjen e liderit të LDK-së. Për PDK-në ka qenë, kuptueshëm, më e rëndësishme humbja e Mustafës sesa fitorja e Ahmetit apo Vetëvendosjes. Fundja, Prishtina ka një mori problemesh që jo lehtë mund të zgjidhen, e aq më pak, kur në krye të saj vije një burr që nuk e ka mbështetjen e sigurtë të kuvendit komunal. Bile, për PDK-në, fitorja e Ahmetit mund të konsiderohet edhe sikur “të vrash dy zogjë me një gur.” Pamundësia eventuale e Ahmetit, jo për shkak se i mungon profesionalizmi, dija, apo sinqeriteti e burrëria, por për shkak se mund t’i mungojë përkrahje e nevojshme politike në kuvendin komunal, për të realizuar premtimet e tij dhe programin e Vetëvendosjes në Prishtinë do t’i jepte edhe një argument shtesë PDK-së, por edhe partive tjera, për të atraktuar votuesit e Vetëvendosjes kah vetja duke bërë me gisht tek dështimet në Prishtinë. Prandaj, para Shpend Ahmetit, në veçanti, dhe Vetëvendosjes në përgjithësi gjendet një sfidë e madhe e qeverisjes. Suksesi në Prishtinë do t’i ndihmonte Vetëvendojes të ecte tutje si formacion politik, me kusht se reformohet dhe me doemos do të ndryshojë disa qendrime (psh, nuk mund të injorojë në vazhdimësi simbolet shtetërore të Kosovës, por ato duhet t’i praktikojë përditë). Por, dështimi eventual në Prishtinë do të mund edhe të dobësonte fuqishëm Vetëvendosjen. /2LONLINE/
aton Bislimi është studijues pranë Qendrës së Ekselencës të BE-së në Universitetin e Albertës në Edmonton dhe profesor vizitor në Universitetin Seton Hill në Penssylvania, SHBA.