Në kuadër të aktiviteteve për thellim të bashkëpunimit rajonal, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Avdylkader Muçaj, shefi i Kabinetit të Ministrit, Hasan Hoxha dhe kolonel Milaim Musliu, priti sot në takim zëvendësministrin e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bashkim Hasanin, të shoqëruar nga ambasadorja Shpresa Jusufi, komandanti i Bazës së Logjistikës, kolonel Muarem Muaremi, si dhe zyrtarë të tjerë.
Në këtë takim, zëvendësministri Syla e njoftoi homologun e tij me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, të arriturat e deritashme si dhe synimet për të ardhmen.
Me këtë rast, të dy delegacionet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në funksion të interesave të përbashkëta dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Lidhur me këtë, dy zëvendësministrat e mbrojtjes u zotuan për thellim të bashkëpunimit bilateral të mbrojtjes dhe zhvillimin e tij në disa fusha, përfshirë arsimimin ushtarak, stërvitjet e përbashkëta ushtarake, trajnimet, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira nga pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare.
Nga ana e tij, zëvendësministri Hasani shprehu gatishmërinë për ofrimin e përvojës në procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, në të cilat ka kaluar Maqedonia e Veriut, si dhe mbështetjen në proceset përkatëse nga niveli i vendit anëtar të NATO-s.
Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni nga Maqedonia e Veriut, vizituan Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u pritën nga shefi i Stafit, gjeneralbrigade Jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë si dhe më pas vizituan edhe Qendrën për Studime Universitare “Wesley Clark”, ku u pritën nga zv.komandanti i saj, kapiten Albian Ajvazi, i cili u prezantoi informacionet e përgjithshme për Qendrën përkatëse. /2LONLINE/