Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla i shoqëruar nga Komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, atasheu i mbrojtjes në Turqi, kolonel Bekim Zejnullahu, si dhe delegacioni nga ushtarakët e FSK-së, vizituan bazën ushtarake në Turqi, ku po zhvillohet Ushtrimi “EFES 2024”.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla dhe delegacioni që po e shoqëron atë, u pritën miqësisht nga komandanti i këtij kampi, Koloneli Ismail Ibish, i cili i njoftoi për rrjedhën e ushtrimit dhe më gjërësisht për kontingjentin e ushtarëve tanë nga Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore. Koloneli në këtë takim theksoi fjalët më të mira të mundshme për disiplinën, sukseset, profesionalizmin dhe gatishmërinë që ushtarët e FSK-së kanë treguar gjatë gjithë këtij ushtrimi.
Pastaj, në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Turqi, ata vizituan kampin e ushtarëve të FSK-së, ku u pritën nga komandanti i kontingjentit të FSK-së në Turqi, major Ali Krasniqi, i cili në detaje i informoi për ushtrimin, objektivat e tij, ndërveprimin me ushtritë pjesëmarrëse, si dhe sfidat për gjatë gjithë ushtrimit.
Ai gjithashtu theksoi pritjen e ngrohtë dhe shumë miqësore nga ushtria turke, për kujdesin dhe kushtet ideale. Ndërsa ushtarakët tanë, zëvendësministri Syla i përgëzoi për sukseset e arritura të cilat na bëjnë krenar të gjithëve. Ky ushtrim pritet të finalizohet pasnesër i cili do të përcillet nga përfaqësuesit e 45 shteteve që kanë marrë pjesë. /2LONLINE/