Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra i shoqëruar nga z. Naim Muja, Udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive dhe z. Frank Olivia këshilltar i ICITAP-it, vizituan Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Droga në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan.
Në drejtorinë rajonale në Prishtinë, delegacioni u prit nga z. Agron Neza drejtor i Divizionit Kundër Krimit të Organizuar, z. Bahri Shala, drejtor i Drejtorisë Kundër Drogave dhe z. Nuhi Bislimi, shef i drejtorisë për hetimin e drogave në Prishtinë.
Me këtë rast zëvendësministri Abdulselami Shkodra theksoi se qëllimi i kësaj vizite është monitorimi i operacionit nacional për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të gjitha llojeve të drogave, i cili është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ai tha se për këtë është shumë e rëndësishme bashkëpunimi i të gjithë akterëve institucional në parandalimin e kësaj dukurie e cila përfshinë fëmijë tanë. Ai tha se për këtë Policia e Kosovës do të ketë përkrahjen e MPB-së.
Nga drejtoria rajonale për hetimin e drogave theksuan se gjatë këtij viti janë bërë 422 kallëzime penale, ndërsa 30 raste janë transferuar për vitin tjetër. Zyrtarët policor treguan se përveç statistikave tashmë është e rëndësishme të ketë hetime të hershme dhe konfiskim të pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme.
“Konfiskimi i pasurisë do të ndikonte drejtpërdrejtë në parandalim dhe për këtë është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi edhe i prokurorisë, gjykatave dhe MPB-së në mënyrë që kjo dukuri të adresohet në mënyrën më bashkohore”, tha Agron Neza
Policia ka bërë të ditur se problemet momentale me të cilat ballafaqohet janë objektet e vjetruara, veturat e pamjaftueshme për shërbimin në infiltrimin e raste të hetimeve dhe veshmbathja për hetuesit.