Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takoi në Bruksel Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Që vitin e kaluar, Kosova kishte lajmëruar institucionet e BE-së për vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin. Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi Komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës. Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim.
Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Shtetet anëtare dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të BE-së, janë takuar dhe informuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ekipi i zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e poashtu dhe nga takimet bilaterale të nivelit të lartë. Procesi i integrimit duhet të vazhdojë të jetë meritor, me prioritet mbështetjen, progresin dhe një perspektivë mbi anëtarësimin e ardhshëm.
Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë. Raporti për Vendin 2022, riafirmon të arriturat në këto fusha, që përfshijnë dhe periudhën e parë të plotë të raportimit mbi qeverisjen Kurti II.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Komisionerin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës. /2LONLINE/