Gjatë qëndrimit në Bruksel, për raundin e dialogut Kosovë-Serbi, Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u takua me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
U diskutua për projekte potenciale në kuadër të mekanizmit të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit përmes ndihmës financiare dhe ekspertizës që Bashkimi Evropian mund të ofrojë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Duke biseduar për reformat e nisura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Varhelyi, tha se do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e krimit.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e zbatimit të shpejtë të Planit Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
U bisedua edhe për progresin që Kosova ka bërë në procesin e vaksinimit, ku tani qëndron më së miri ndër vendet e rajonit, ndërsa Komisioneri Varhelyi shprehu gatshmërinë e BE-së për të ndihmuar rreth certifikatës së vaksinimit. /2LONLINE.com/