Këtë të shtune vëmendja e sportdashësve kosovar do të rikthehet në Gjilan, pasi do të takohen dy rivalët e vjetër nga qyteti, FC Drita dhe SC Gjilani.
Për rivalitetin e derbit lokal është i vetëdijshëm edhe kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, duke theksuar se janë munduar që presioni të largohet nga futbollistët.
“Jam munduar që nga dita e parë e kësaj jave që ta heqi presionin nga futbollistët, por ta mbajmë ne si staf dhe ata të mendojnë se thjeshtë është xhiro e radhës. Pavarësisht cila skuadër është ne duhet të futemi për fitore, ne duhet të japim maksimumin. Një kohë me shi siduket edhe nesër do jetë kështu për të sjellë edhe një derbi më agresiv, më luftarak, sepse derbi fitohet, derbi nuk luhet. Gjithmonë duhet të luhet me mend, sepse mund të jetë një moment dhe shpresoj që nesër ai moment do të jetë për ne”, ka thënë Ramadani.
Ai tha se pavarësisht që vijnë nga rezultatet pozitive kur vjen derbi lokal të gjithë japin më shumë, mobilizimi, koncentrimi dhe disiplina është në nivelin më të lartë dhe shumë pak gabohet, sepse një gabim mund të ndëshkoj.
Ramadani u pyet për tifozët dhe mbështetjen e tyre, për çka tha se mbështetja e tyre në ndeshje të mëdha është vendimtare.
“Patjetër që është e madhe prezenca e tifozëve, ata në çdo ndeshje që kanë qenë, na kanë mbështet në maksimum edhe në barazim edhe në fitore. Ndoshta po të zhvillohej ndeshja në stadium mbështetja do të ishte më e madhe, mirëpo fatkeqësisht jemi këtu ku jemi, që gjithsesi është një mbështetje e madhe e tifozëve tanë. Është një moral ose përkrahje shtesë për çdo futbollist që do të jetë në fushë”, deklaroi trajneri Ramadani.
Trajneri i FC Dritës tha se nuk e përcjell tabelën apo rivalët, sepse është edhe fillimi dhe ka ndeshje për t’u zhvilluar, por FC Drita është aty për të luajtur, për ta kryer punën e saj dhe nesër është së pari ndeshje e radhës pastaj derbi.
Krejt në fund, Zekirija Ramadani njoftoi se atmosfera në ekip është e mirë, nuk ka suspendime përveç dy lëndimeve në fillim.
Dueli ndërmjet Dritës dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/