Arton Zekaj është veshur si “Dardan” për herë të parë që kur pranoi të luante me Përfaqësuesen e Kosovës. Zekaj u prit këtë të hënë nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, derisa vetë futbollisti u shpreh i lumtur me zgjedhjen e tij.
“Për mua është krenari e madhe që e kam zgjedhur Kosovën dhe që do ta veshë këtë fanellë, pasi në këtë mënyrë do t’i bëj krenar prindërit e mi, familjen time dhe krejt popullin e Kosovës, e gjithashtu edhe një njeri të madh që më nuk është në mesin tonë – legjendën, Fadil Vokrri”, ka theksuar Zekaj.
Ai ishte paraparë të debutonte në ndeshjet e qershorit për kualifikimet e Evropianit 2021 me Kombëtaren U21 kundër Andorës dhe Turqisë, por një lëndim i pësuar së fundmi ka bërë që debutimi i tij të shtyhet për në shtator.
“Të ardhmen çdo herë duhet ta shikoj për të arritur majat në futboll, qoftë në nivel klubesh, qoftë në nivel të kombëtareve. Normalisht, të gjithë lojtarët kanë dëshirë për të luajtur për Kombëtaren e parë, por hap pas hapi, lojë pas loje do të shohim si do të ecën gjërat. Mua më mbetet që t’i tregoj cilësitë e mia dhe te Kombëtarja U21 do të jap maksimumin tim, pastaj janë trajnerët ata që vendosin”, ka shtuar Zekaj.
Tutje Artoni ka bërë të ditur se i ka ndjekur me entuziazëm të madh të gjitha ndeshjet e Kombëtares A të Kosovës dhe beson në suksesin e saj.
“I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe jam shumë i lumtur me lojërat dhe rezultatet që i kanë treguar djemtë tanë. Ajo që më pëlqen më shumë te Kosova është fakti që të gjithë luajnë si grup dhe që luajnë me zemër, derisa tifozët janë fantastik. Me një fjalë krejt populli është përkrah ekipit kombëtar. Pres që do të arrijmë të kualifikohemi në Evropian, por mbetet të shohim si do të shkojnë gjërat”, ka nënvizuar Zekaj.
Arton Zekaj, aktualisht pjesë e klubi elitar francez, Lille, por që si futbollist u rrit në akademinë e Partizanit të Beogradit, e ku falë talentit të tij ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Serbisë për grupmoshat U15, U16 dhe U17.