Izmi Zeka, që dikur drejtonte degën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan ,e më pas pati pozita në qendër, kur ky subjekt politik ishte në pushtet, duke përfshirë pozitën edhe të zëvendësministrit, në ministri të ndryshme, iu është rikthyer Gjilanit, pasi është bërë pjesë e listës së këtij subjekti në garën për Kuvend Komunal, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
E rikthimin e tij në Gjilan e bënë edhe me një premtim që ndërlidhet me mësimdhënësit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Zeka qysh tani jep një premtim që ka të bëjë me shujtat e mësimdhënësve, të cilat, siç thotë ai, do t’iu paguhen nëse PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet lokale dhe në krye të Gjilanit do të vije, kandidatja e PDK-së për kryetar komune.
“PDK, që në fillim të mandatit udhëheqës, do t’i kryej obligimet ndaj mësimdhënësve në Gjilan për shujtën ditore. PDK në Gjilan, në krye me kandidaten Leonora Bunjaku në mandatin e saj katërvjeçar, respektivisht në fillim të mandatit, të gjithë mësimdhënësve do t’ua paguaj obligimin ligjor për shujta për tri vitet e kaluara”, ka thënë Zeka.
Ai shtoi se me PDK-në në pushtet nuk do të lejohet që mësimdhënësit për një të drejtë të tyre ligjore të ballafaqohen në gjykata.
“Arsimi është prioritet i PDK-së dhe si i tillë do të trajtohet në mandatin qeverisës”, ka thënë Zeka, kandidat i PDK-së për asamblenë komunale të Gjilanit, organ ky që dikur edhe e kryesonte, kur me Gjilan qeveriste PDK-ja. /2LONLINE.com/