Izmi Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh nënkryetar i Degës në Gjilan ka bërë me dije se Dega e PDK-së, në Gjilan, ende nuk ka një qëndrim se cilin kandidatë do e mbështesë në balotazhin e së dielës, ose nëse do të mbështesë ndonjërin nga ata.
Kjo sipas Zekës, ngase oferta e PDK-së për kryetar komune nuk mori mbështetjen e shumicës kësaj radhe, andaj e vlerësojnë të rëndësishëm parimin e votës së lirë të qytetarit.
“Ne urojmë që gjilanasit të bëjnë zgjedhjen e duhur, pavarësisht faktit se ne konsiderojmë që oferta jonë për Gjilanin ka qenë oferta më e mirë, oferta më serioze, oferta që I është dashur në këtë moment Gjilanit. Sidoqoftë ne e respektojmë votën e lirë të qytetarit tonë”, ka thënë Zeka për 2LONLINE.
Ndërsa për atë se a do të bëni reforma në parti-degë, pas humbjes në zgjedhjet lokale, Zeka ka thënë se oferta e tyre nuk kaloj kësaj radhe dhe janë të vetëdijshëm se në këtë kanë ndikuar shumë faktorë. “Konsideroj se mungesa e reformave është një problem për të gjitha partitë, për gjithë spektrin politik në Kosovë”, thotë Zeka.
Lidhue me atë se çfarë hapa konkret do të ndërmerrni për ta këndellë partinë – Degën, Zeka tha se konsideron se Dega e PDK-së në Gjilan, ka potencial dhe vullnet, që pas këtyre zgjedhjeve të rikthehet në pozitën udhëheqëse në Gjilan.
“Reforma patjetër që duhet të ketë. Këto reforma do të jenë të natyrshme, të menduara mirë dhe me kuadro të dëshmuara në të gjitha fushat”, ka potencuar Zeka.
Ndërsa në lidhje me atë se a ka ambicie për t’u rikthye në krye të Degës së Gjilanit, Zeka tha se angazhimi i tij në politikë është i kahershëm.
“Kam pasur fatin të punoj me të gjithë aktivistët dhe qytetarët. Besoj se vetë mbështetësit e PDK-së duhet të zgjedhin se kush duhet të jetë në krye të degës në Gjilan. Unë jam angazhuar dhe do të vazhdoj t’i mbetem besnik parimit demokratik të shumicës. Sidoqoftë une do të mbetem i përkushtuar në punë për të avancuar vlerat që ka PDK dhe që këto vlera të jenë në shërbim të qytetarëve të Gjilanit dhe jo vetëm të Gjilanit”, ka thënë Zeka, që aktualisht është edhe zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).