Zëvendësministri i Punëve të Brendshme që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka, i ka dhënë përkrahje presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky reagim i Zekës vjen pas dështimit të seancës të thirrur nga opozita për të debatuar lidhur me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Zeka ka thënë për “Epokën e re” se Kosova tanimë ka nevojë për unitet të brendshëm.
Sipas tij, presidenti Thaçi që nga Rambujeja e deri më sot ishte katalizator i shtetndërtimit të Kosovës, prandaj sipas Zekës edhe sot më shumë se kurrë i duhet Kosovës një qasje e tillë dhe një lider i tillë.
Zeka ka pohuar se PDK-ja ka qëndrim të qartë që çështja e Luginës së Preshevës të shtrohet si temë në Bruksel.
“Mbase e çuditshme, politika kosovare më shumë i ngjan papjekurisë dhe luftës për pushtet se sa aspekteve të tjera. Tani kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për unitet politik ata merren se kush do të jetë i pari. Presidenti i Kosovës që nga Rambujeja e deri më sot ishte katalizator i shtetndërtimit të Kosovës, prandaj edhe sot më shumë se kurrë i duhet Kosovës një qasje e tillë dhe një lider i tillë. Institucionet e Kosovës me shpalljen e pavarësisë kanë mbyllur çështjen e sovranitetit të Kosovës. PDK-ja ka qëndrim të qartë se çështja e Luginës së Preshevës të diskutohet në Bruksel. Momentet historike nuk përsëriten andaj diskutimi për Luginën e Preshevës në Bruksel vetëm sa e fuqizon politiken shqiptare në rajon”, ka thënë Zeka.
BURIMI: Epoka e re