“Duke parë reagimet e deputetëve të Parlamentit të Kosovës rreth fillimit të zbatimit të Ligjit për Automjete me Nr.05/L-132, i cili ka hyrë në fuqi nga 04/05/2017 neni 43 paragrafi 2 i cili kërkon tekstualisht që: ”pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit apo shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”, kemi obligim të sqarojmë opinionin se zbatimi i këtij ligji nuk është bërë deri më datën 1 qershor për arsye teknike brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme’.
Kështu thotë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, sipas të cilit ministria vetëm ka zbatuar ligjin të cilin e kanë aprovuar vetë deputetët në Parlamentin e Kosovës. Prandaj në këtë sens është jo korrekte kur flitet pa argumente dhe apostrofohen institucione te ndryshme pa pasur bazë ligjore për shkelje apo diçka tjetër.
Zeka ka thënë se duke pasur për bazë numrin e aksidenteve të shumta në trafikun rrugore Ministria e Punëve të Brendshme, e në këtë rast në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe bashkëpunëtoreve ndërkombëtar, është hartuar ligji ku neni 43 paragrafi 2 ka filluar së ekzekutuari nga data 1 qershor.
“Në si Ministri duke pasur parasysh nevojën e marrjes së masave për të parandaluar dhe vepruar për të ndaluar aksidentet në trafik po marrim masat të cilat janë në interes të vetë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendësministri Zeka.
Ai tha se duhet përmendur se Ligji mbi automjetet është në harmoni me direktivat evropiane duke mos cenuar as edhe një milimetër të drejtën e askujt.
“Prandaj ju lutemi që ju si parlament të ndihmoni institucionet e qeverisë së Kosovës në zbatimin e ligjit. Ne jemi duke analizuar që të gjejmë edhe rrugë të tjera të cilat do të ndihmojnë trafikun në Kosovë që të lëvizin lirshëm pa qenë të rrezikuar nga aksidentet dhe problemet në Komunikacion. Krejt në fund as edhe Roma nuk është zbuluar për një ditë”, ka thënë Zeka.