Ditë më parë, në qytetin bregdetar të Durrësit, u mbajt për herë të tetë radhazi, Festivali i Poezisë “Pranvera poetike durrësake”.
Në mesin e shumë pjesmarrësve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë si dhe Malit të Zi, treva, ishin dhe tre poetë nga Ars Clubi “Beqir Musliu” të Gjilanit, Nexhat Rexha, Xhevat Latifi e Sabit Rrustemi.
Një Juri letrare, e përbërë nga Gjergj Vlashi ( Durrës ), Petrit Ruka (Tiranë) dhe Ibrahim Berjashi (Ulqin), vlerësoi prurjet poetike të sivjeme të këtij Festivali, të cilat ishin dërguar paraprakisht në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, në mesin e poezive që morën Çmime, veçoi edhe poezinë e Xhevat Latifit, ” I rashë sonte Shkodrës në prehër ” me vendin e dytë.
Vite më parë, po në këtë Festival ishte shpërblyer me vendin e dytë edhe një poet tjetër nga Gjilani, Sabit Rrustemi.
I RASHË SONTE SHKODRËS NË PREHËR
/Xhevat LATIFI/
Sërish Rozafa.
Në qiell luan guralec me yjet
Një fëmijë flokëverdhë mban në prehër
Hanën e merr e vendos në gji medaljon
Më pas fillon kangën e Shën Gjergjit.
I rashë sonte Shkodrës në prehër
I them më le pak vend të mbështes kokën
Tapi kam tumat ilire,
piklat e një fëmije në faqe…
Në beselidhjen e re
Unë, Rozafa dhe një pellazg i urtë
Bamë paqe Drinin e zi e Drinin e Bardhë
Me ba dashuri detin
Me ba tamël Bunën
E dritë,dritë me ba dashnin tonë
Prej guri
Prej meteori
Si fëmijë të bekuar nga Zoti
Me pas shtrat fushën e blertë
E mbulesë qiellin.
I rashe në gjunjë Shkodrës me m’falë
Bekimin e Rozafës me çue në Kosovë amanet.
Një nane t’dhunume nga serbet me ja shërue plagët..
I rashë sonte Shkodres në prehër
Me kuptue sa e thellë eshtë dashuria për të
Grua zog shqiponje!
E shpërblyer me vendin e dytë në Festivalin e poezisë “Pranvera poetike durrësake”, mbajtur më 13 maj 2017 në Durrës.