Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka zhvilluar mbledhjen e parë në përbërje të re, pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të këtij organi vendimmarrës nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje anëtarët e Komisionit kanë votuar për zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të Komisionit të KPM-së.
Pas procesit të votimit, Kryetar i Komisionit të KPM-së u zgjodh Xhevat Latifi , ndërsa nënkryetar u zgjodh Granit Musliu. Mandatet e tyre janë dyvjeçare, sipas Ligjit për KPM-në.
Latifi ka lindur në Gjilan më 1968. Është Magjistër i sociologjisë. Për shumë vite ka punuar në media të Kosovës, në projekte të shoqërisë civile dhe aktivitete të ndryshme të diplomacisë publike si bashkepuntor me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Është anëtar i Albanian PEN Center. Ka botuar dy libra me poezi dhe ka fituar disa çmime të ndryshme letrare.
Është i martuar me Lumnije Latifin dhe kanë tre fëmijë: Lemba, Valma dhe Bliri.
Përndryshe, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Me nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës KPM përcaktohet organ i pavarur. Në bazë të Ligjit Nr. 04/L-44, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
Përgjegjësi e KPM-së është të nxisë dhe të mbajë një sistem të drejtë dhe të hapur për licencimin dhe rregullimin e shërbimeve mediale audiovizuele dhe për menaxhimin e spektrit të frekuencave të transmetimit në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare.