(2L ONLINE) – Selver Xhelili, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit thonë se nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar se po kërkohet nga shteti maqedon, që sipas disa medieve thuhet se ndaj tij, ky shtet ka lëshuar flet-arrest.
Krejt çfarë di aktualisht ai thotë të ketë mësuar nga interesimi i gazetarëve sot për këtë çështje, por asgjë më shumë. Ai tha se ka mbetur të interesohet për këtë çështje, a është e vërtetë apo jo.
Nga ajo që thuhet në disa media, Xhelili po kërkohet nën arsyetimin se ai gjatë viteve 2009-2012, së bashku me disa komandant të UÇK-së nga Maqedonia, ka marrë pjesë në trazirat e organizuara kundër shtetit maqedonas. Thuhet se ai të ketë trajnuar në hotelet e Shqipërisë grupe të ndryshme të cilat i ka sponsorizuar me mjete financiare, duke e cilësuar atë si person të rrezikshëm që ka punuar kundër interesave shtetërore të Maqedonisë.
Xhelili thotë për 2L ONLINE se nga viti 2006 merret me biznes hotelier dhe se është plotësisht një afarizëm legal, paguan tatime e obligime tjera. Ai thotë të ketë menaxhuar hotele të ndryshme në Shqipëri ku shkojnë pushues pa dallim, por edhe në forma të organizuara përmes projekteve, tenderëve që janë fituar sipas procedurave të parapara.
Por krejt kjo, sipas Xhelilit, ka qenë në kuadër të afarizmit të tij legal. Ai thotë të ketë pasur pushues të ndryhsëm në hotelet që i ka pas në menaxhim, si pushues shqiptarë, kosovarë, maqedonë e të tjerë, pastaj ka pas aranzhime edhe në grupe të ndryshme, si pensionistë, shoqata të ndryshme, duke përfshirë edhe pushues nga shoqata të dala nga lufta, pastaj maturantë, nxënës e grupe të tjera. Hotelet që janë menaxhuar ai thotë se janë për pushues pa dallim dhe se në këtë drejtim nuk ka pas asnjëherë telashe.
Sido që të jetë, ai tha se ende nuk di se në fakt a është e vërtetë kjo apo jo, por ka mbetur t’i konsultojë rrugët ligjore për të mësuar për këtë dhe për të reaguar konformë situatës. Deri atëherë, ai thotë se nuk do të i komentojë akuzat, që sipas disa medieve, i janë bëtë atij nga organet përkatëse të shtetit maqedon./2L ONLINE/