/2L ONLINE/ – Xhandarmëria serbe, të hënën (26. 09. 2016), rreth orës 14.00 në rrugën Muhoc-Zarbicë te vendi i quajtur “Te Silçovit”, rreth një kilometër mbi Muhoc, ka ndaluar Dionis Reshat Ramadanin 14 vjeçar nga fshati Suharrën dhe dajën e tij, Valmir Sadiku 22 vjeçar nga Gjilani, duke ardhur në shtëpi (Suharrën). Siç na informon Reshati, xhandarmëria në formë të pyetjeve e të kërcënimeve u kanë thënë a mos po bartni armatim, a mos jeni me ISIS-in. Po ashtu, i kanë pyetur për njerëzit që po kalonin rrugës se kush janë ata, ku po shkojnë dhe pyetje tjera provokuese.
Këta djem, si të ri që ishin, natyrisht se ishin frikësuar, e që sigurisht ishte edhe qëllimi i xhandarmërisë. Pas kësaj xhandarmëria i kanë ftuar policinë dhe ua kanë dorëzuar atyre Dionisin dhe Valmirin. Pas marrjes në pyetje Dionisin e kanë lëshuar, ndërsa Valmirin e kanë dërguar në Bujanoc, ku gjykata, pas orarit të punës, e ka dënuar me 50 euro. Valmiri është detyruar të porosisë një taksist, të cilit i ka kushtuar 100 euro, të shkojë në Gjilan e t’ia sjellë parat dhe dokumentet tjera personale të cilin më pas e kanë liruar.
Ky është një veprim psikologjik që duke krijuar situata të tilla frike, t’u thonë edhe këtyre pak familjeve që janë duke jetuar në këto fshatra të Malësisë dhe të gjithë atyre që mendojnë që të kthehen, në mënyrë të tërthortë, se nuk keni siguri, se nuk keni vend këtu, thotë Reshat Ramadani. Për mua është mjaftë e keqe sepse djalin tim Dionsin, 14 vjeçar dhe mikun tim e kanë stresuar dhe te ta kanë krijuar frikë, që është jo e drejtë dhe në kundërshtim me qarkullimin e lirë e me të drejtat elementare për të jetuar e punuar në tokat tona.
Këto sjellje të tilla të bën të mendosh që, qarqe te caktaura të pushtetit serb po i pengon fillimi i ndërtimit të rrugës e cila ka hap mundësi të reja për përmirësimin e jetës së familjeve që janë duke jetuar në fshatrat e Malësisë së Bujanocit dhe mundësinë e kthimit të banorëve shqiptarë të kësaj ane në shtëpitë e veta. Që nga ajo ditë, kur rruga Zarbicë-Muhoc ka filluar të punohet, është ngjallur qarkullimi drejt fshatrave të Malësisë, sa nga banorët që janë duke jetuar atje, sa nga banorët që janë ndjekur nga këto fshatra.
Por ky interesim, këto lëvizje në këtë rrugë, ky fillim i të menduarit për kthim të familjeve të këtyre fshatrave, si duket ka filluar të mos shihet me sy të mirë nga xhandarmëria serbe, ka futur frikën në nacionalizmat e serb se, këtij vendi, ndoshta, do t’i kthehen banorët e vet shqiptarë.
Jeta e 16-18- e 20 familjeve në këto hapësira si duket nuk u ka quar peshë, sepse kanë menduar se një numër kaq i vogël është kafshatë e lehtë për ta. Por kur kanë parë se rruga po ndërtohet, njerëzit kanë filluar të lëvizin, të kthehen, të investojnë e të ngjallin Malësinë e Bujanocit, i kanë nervozuar, dhe si duket, duke e pasur ende atë urrejtjen ndaj shqiptarëve e të mbajtjes të pushtuara tokat shqiptare, kanë filluar me maltretime sporadike, fillimisht, fizike e psikologjike, e ndoshta më vonë edhe me rrahje, dëbime, ndalesa të banorëve etj.
Këto veprime të xhandarmërisë serbe të kujtojnë, pa u kthyer shumë prapa, maltretimet e presionet e vazhdueshme të banorëve të kësaj ane pas vitit 2000. Ndoshta ia vlen të përmenden disa, si shembull: demolimi i shtëpive në Novosellë, djegia e zyrës së vendit në Zarbicë, kërcënime me armë e ofendime në baza nacionale nga individë serbë, madje duke u sugjeruar banorëve të kësaj ane, që të largohen sa më shpejt në drejtim të Kosovës ku kanë shkuar edhe pjesa tjetër e shqiptarëve, marrjen e kafshëve e mos dhënie përgjegjësi askush për to, mosvazhdimi i dokumenteve të banorëve që u skadon afati, kërcënime deri edhe me tentim rrahje në oborre të shtëpisë etj. /2L ONLINE/
fotoilustruese