Ligji i ri, kontribut për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri
Gjatë seancës plenare të datës 4 maj 2017, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. WWF Adria dëshiron të përgëzojë Agjencinë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura për punën e shkëlqyer në draftimin e këtij ligji , i cili reflekton standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës.
Ligji “Për zonat e mbrojtura”, synon një menaxhim efektiv dhe të pavarur të gjithë Zonave të Mbrojtura ekzistuese dhe atyre që do të shpallen që nga hartimi i planit të menaxhimit të një zone e deri tek administrimi i vazhdueshëm i saj.
Përgjatë një viti ky ligj ka kaluar në një sërë konsultimesh me publikun. Janë zhvilluar rreth 12 tavolina të rrumbullakëta ku është diskutuar drafti me përfaqësues të universiteteve dhe botës akademike, shoqërisë civile, komuniteteve vendore dhe përfaqësuesve të institucioneve të huaja dhe donatorëve.
WWF Adria u ftua dhe mori pjesë aktive në procesin e konsultimit të ligjit. Stafi i WWF Adria ndau eksperiencat pozitive lidhur me menaxhimin e Zonave të Mbrojtura në vendet e Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e konsultimit me palët e interesit, nëpërmjet një procesi pjesëmarrjeje në menaxhimin dhe qeverisjen e zonave të mbrojtura , në respekt të marrëveshjeve ndërkombëtarë dhe standardeve evropiane. Falënderojmë AKZM-në që konsideroi kontributin e WWF-it, tha Anila Boshnjaku, zyrtare e politikave për Shqipërinë ne WWF Adria.
Duke qenë një vend kandidat për në BE, nëpërmjet miratimit të këtij ligji, Shqipëria bëri një hap përpara në realizimin e angazhimeve të saj në kuadër të standardeve të mjedisit. Miratimi i këtij ligji ishte një angazhim i parashikuar dhe në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian të vendit.
Një nga arritjet e këtij ligji është fakti që miratimi i shpalljes së një zone të mbrojtur mund të bëhet pasi Këshilli Kombëtar i Territorit të miratojë zonimin. Ky është një hap në drejtim të përfshirjes së vlerësimit të ekosistemeve në planet e zhvillimit, nëpërmjet gjetjes së ekuilibrit të duhur midis mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Me miratimin e këtij ligji, Këshilli Kombëtar i Territorit, duke miratuar paraprakisht zonimin e zonës përpara shpalljes së saj me vendim të Këshillit të Ministrave, do të përcaktojë edhe llojet e aktiviteteve që mund të ushtrohen në nën-zona të veçanta të saj, duke e bërë më pas të pamundur vendimmarrjen ne favor te ndonjë aktiviteti i cili bie ndesh jo vetëm me planin e menaxhimit të zonës, por edhe me arsyet e shpalljes së kësaj zone.
Risi tjetër që spikatet në këtë projektligj është përfshirja e shoqërisë civile gjatë gjitha fazave të menaxhimit të një zone, duke filluar që në fazën e marrjes së mendimeve për shpalljen e një zone e deri tek hartimi i planit të menaxhimit të saj.
Ky është një reflektim i angazhimit të institucioneve shqiptare për të ndjekur marrëveshjet ndërkombëtare si Konventa për Diverzitet Biologjik. Programi i Punës për zonat e mbrojtura , të cilat këshillojnë krijimin e një kuadri ligjor që siguron një sistem qeverisjeje më pjesëmarrje dhe të diversifikuar , i cili mund t’i përgjigjet më mirë sfidave dhe mundësive te reja
Për të ndjekur zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura, ngrihen komitetet e menaxhimit, me përbërje nga institucionet publike vendore si të bujqësisë, të turizmit, të infrastrukturës si dhe nga përfaqësues të OJQ-të.
WWF Adria mund të ofrojë eksperiencat e saj në krijimin e forumeve të palëve të interesit, të cilat mund të shërbejnë si praktikat më të mira për t’u ndjekur gjatë krijimit të komiteteve të menaxhimit , duke zbatuar sa më mirë parimet e qasjes me pjesëmarrje dhe të transparencës përgjatë gjithë ciklit: nga shpallja deri tek menaxhimi dhe monitorimi i planeve të menaxhimit.
Ligji përcakton më së miri dhe rolet dhe përgjegjësitë e strukturave të menaxhimit të zonave të mbrojtura, duke i dhënë një rol të spikatur AKZM-së. Kjo agjenci është një nga aktorët kryesorë me të cilin WWF Adria do të bashkëpunojë ngushtë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke respektuar standardet ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e natyrës.