Përkundër deklarimeve, fakt i pamohueshëm është se gjithmonë e më shumë shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga veriu i vendit nuk po u lejohet rindërtimi i shtëpive dhe kthimi në to. Paralelisht me këtë pengim të dhunshëm të shqiptarëve për t’u kthyer në pronat e tyre po ndodh një kolonizimi ri të cilin sigurisht e ka lehtësuar në terren nënshtrimi i Qeverisë së Kosovës përballë Qeverisë së Vuçiqit e veçanërisht projekti i “Zajednicës” thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosjes.
Ndërtimi që po ndodh së fundi, i 300 shtëpive për 1200 – 1500 banorë të rinj ku sigurisht nuk mungon e gjithë infrastruktura por dhe objektet me sinjalistikë etnike shoqërohet me obligimin për punësim të qëndruesëm të së paku një anëtari të familjes nga këto shtëpi. E gjitha kjo e financuar nga Qeveria e Serbisë nuk është asgjë tjetër përpos një kolonizim i ri në territorin e Kosovës.
Vendodhja e këtij kompleksi është pak mbi Kroin e Vitakut, në Mitrovicë dhe kjo tregon qartazi pse serbët kundërshtojnë fuqishëm rindërtimin dhe kthimin e shqiparëve atje. Kjo tregon edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës, organet e rendit të Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk ndërmorrën asnjë veprim për t’ua siguruar shqiptarëve kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre, dhe qytetarëve lëvizjen e lirë në atë pjesë të Kosovës.
Rikujtojmë se rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Suhadoll, Kroi i Vitakut, Lumbardh është i domosdoshëm referuar të drejtave universale, e interesit shtetëror e kombëtar. Pengimi i kthimit të shqiptarëve është ndihmë për planet kolonizatore të Serbisë në veri të Mitrovicës.
Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Kosovës e cila hesht, e madje punon kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër në Mitrovicë, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosjes.