Parimet e shëndosha dhe fjala e lirë nuk blihen në pazarë
Florim Zeqa
Në Kosovën e pasluftës, si pasojë e egos së pakufishme për pushtet të liderëve partiak, ndërkombëtarët me lehtësi i kanë realizuar dhe po i realizojnë levizjet e figurave në tabelën politike kosovare.
Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysëm shtetin e Kosovës.
Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.
Mungesa e një konsensuesi nacional mes forcave politike shqiptare, ka prodhuar efekte tepër negative në rrafshin politik dhe diplomatik të shtetit tonë.
Qendrueshmëria dhe konsistimi i partive në vijat e tyre programore do të bënte të pamundur levizjet e padëshiruara politike në raport me fqinjët tanë, siq janë Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave serbe në veri të vendit.
Pas çertifikimit të koalicioneve parazgjedhore dhe partive politike pjesmarrëse në procesin zgjedhor, për herë të parë në Kosovën e pasluftës i kemi përballë njëra-tjetrës dy koalicione të mëdha dhe një subjekt të pozicionuar në vijat e saj programore (VV-në).
Parallogaritjet e para tregojnë qartë se grumbullimi i 13 partive në një koalicion të gjërë (PAN) është bërë për të arsyetuar vjedhjen industriale të votave, ndërsa koalicioni i të dështuarëve politik (LDK-AKR me individë poashtu të dështuar) në krye më Isa Mustafën (thyerësin e shpresave për ndryshim në LDK), për qëllim ka shpërndarjen e përgjegjësisë për humbjen e sigurtë në zgjedhje.
Fiasko në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do të pësojnë ato parti, liderët e të cilëve i kanë shkelur “vijat e kuqe” si dhe ato parti që kanë devijuar nga programet e tyre politike duke u bashkuar me parti tjera (qofshin të vogla apo të mëdha) të cilat kanë orjentime dhe programe politike diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.
Thënë ndryshe, të gjitha partitë me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje u bënë “Përrallë me tupan”, duke vrapuar pas pushtetit në gjysëm shtet!
E vetmja parti politike e cila u qendroi besnik parimeve dhe elektoratit të saj, është Lëvizja Vetëvendosje, duke mbrojtur parimet dhe deklarimet publike, elemente këto që do ta bëjnë këtë subjekt akoma më unik dhe më kredibil para elektoratit kosovar.
Rritja dhe konsolidimi i VV-së do të fuqizohen akoma më shumë, duke krijuar kështu kapital të qendrueshëm politik për zgjedhjet e radhës lokale (të përgjithshme) të vjeshtës së këtij viti.
Elektorati kosovar, i lodhur nga mashtrimet, varfëria dhe denigrimi social, pritet t’i ndëshkojë ato parti politike dhe liderë partiak që shkelën “vijat e kuqe” për të ardhur në majat e pushtetit.
Politikanë i mirë dhe i përgjegjshëm llogaritet ai liderë partiak i cili u qëndron besnik parimeve dhe që rrugëtimin e tij e bazon në “staza” të gjata e jo në caqe të shkurtëra.
Lum ajo parti dhe ai liderë që qendron i palëkundur në qëndrimet dhe parimet e tij politike.
Me qendrueshmërinë dhe konsistencën në parimet e saj, VV-ja kësaj radhe u ka dhënë leksion të ashtuquajturave parti të mëdha, të zvogëluara në vlera dhe parime demokratike.
Vlenë për t’u theksuar edhe një element mjaft përmbajtësor për VV-në. Për dallim nga të gjitha subjektet garuese për zgjedhjet e 11 qershorit, e vetmja është Lëvizja Vetëvendosje që nuk e ka harruar Diasporën, duke futur në listën zgjedhore për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës përfaqësuesin e mërgatës shqiptare, veprimtarin e devotshëm të çështjes kombëtare, zotin Xhafer Berisha me qendrim të përkohshëm në Firence të Italisë.
Për fund edhe një konstatim në parashikim, përderisa tre legjislaturat e fundit të kuvendit përfunduan pa shkelur në vitin e katërt të punës së tyre, qeverisja e re pritet të përfundojë shumë më shpejtë, ndoshta brenda 100 ditëshit të parë të punës së saj, dhe atë për arsye të shumta.
Pavarësisht rezultatit final, Lëvizja Vetëvendosje tashmë është fituese morale e zgjedhjeve të 11 qershorit, mbase pas zgjedhjeve do t’ua prishë edhe llogartitë për pushtet fituesve fiktivë të zgjedhjeve të kurdisura paraprakisht.
Kjo mbase do t’i detyroj pushtetarët e deridjeshëm, që për vazhdimin e qeverisjes me vendin të trokasin sërish në dyertë e “Lista Srpska” duke e mjegulluar akoma më tepër të ardhmen e vendit nesër.