Edhe përkundër disa ndalesave që po i bëhen për të hyrë në Kosovë, ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin ka paralajmëruar se nesër do të marrë pjesë në liturgjinë në Manastirin e Deçanit organizuar me rastin e festës së mbretit të shenjtë martir Stefan Deçanskit, që është e kremte e këtij manastiri, ka njoftuar zyra për “Kosovën e Metohinë”.
Në kumtesë thuhet se me atë rast patriku serb Irinej do ta dekoroj Zyrën për Kosovë e Metohi me Medalen e Shën Savës të rendit të parë, mirënjohje më e lartë që e jep Kisha Ortodokse serbe. “Në manifestim, ku do të marrin pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Rodiq, Ministri i Jashtëm, Ivan Mrkiq, dhe ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën, Mirko Krliq, do të bëhet edhe shugurimi i Konakut të ri të Prizrenit në kompleksin e manastirit”, thuhet në kumtesë, trasnmeton RTK.