Duke pasur parasysh rastet e aksidenteve me fatalitet të ndodhura kohëve të fundit Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi mbajti një takim me stafin menaxherial, Komandantët e Stacioneve Policore dhe Njësive, me fokus të veçantë masat shtesë që duhet të ndërmerren për reduktimin e aksidenteve në trafik, veçanërisht atyre me fatalitet.
Gjatë këtij takimi, u diskutuan strategjitë e nevojshme për të rritur sigurinë rrugore, duke përfshirë përmirësimin e kontrollit të trafikut rrugorë, rritjen e partishmërisë policore dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut.
Kolonel Rukiqi kërkoj nga Komandantët e Stacioneve dhe Njësive Rajonale aktivitete shtesë, duke kërkuar nga ta dhe zyrtarët policorë që i mbikëqyrin të jenë profesional gjatë kryerjes së detyrave në trafikun rrugorë dhe se toleranca për kundërvajtësit të jetë zero.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut rrugorë, pasi siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga sjellja e përgjegjshme në rrugë.
Me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetëve, çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me seriozitet maksimal nga ana e policisë, andaj me këtë rast kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve. Ne besojmë se me bashkëpunim dhe përkushtim, mund të arrijmë një ambient më të sigurt për të gjithë.
Vozit me kujdes, mbroje jetën tënde dhe të tjerëve! /2LONLINE/