Fadil Vokrri, kryetar i Federatës Kosovare të Futbollit dhe ish sulmues i Partizanit, ka thënë se ende i kujtohen golat e shënuar në fanellën e klubit ‘bardhezi’. Vokrri në një intervistë për të përditshmen serbe ‘Politika’ ka folur për gjendjen momentale të futbollit në ish Jugosllavi, ish klubin e tij, si dhe futbollin e Kosovës.
Ish-sulmuesi i klubit nga Humska rrallë e viziton Beogradin, por thekson se ende i ka në kujtesë tifozët e Partizanit, sepse janë më të mirët, shkruan ‘Politika’. “Për mua tifozët e Partizanit, ashtu siç unë i kujtoj derisa luaja në këtë klub, gjithmonë do të jenë jo vetëm ndër më të mirët, por më të mirët në hapësirat e ish-Jugollavisë. Shpesh ne lojtarët në bahçen e restorantit kalonim shumë kohë me ata, ndoshta më shumë sesa rrinim në shtëpitë tona”, ka thënë Vokrri, shkruan Tribuna.
Ai fanellën e Partizanit të Beogradit e ka veshur për tre stinor, në 55 ndeshje dhe ka shënuar 18 gola. Sipas tij, golin më të rëndësishëm e ka shënuar në gjysmëfinale të kupës kundër Crvena Zvezdës. “Goli më i rëndësishëm pa dilema ka qenë ai në ‘derbin e madh’, në gjysmëfinale të Kupës së shtetit në stinorin 1988/89. I kemi mposhtur ata në JNA me rezultat 2:1, derisa ata në pjesën më të madhe të revanshit në terrenin e tyre udhëhiqnin dhe ajo ua garantonte kalimin më tej.