Me rastin e katër-vjetorit të shuarjes së njërit prej veprimtarëve më të shquar të Lëvizjes Çlirimtare, Taip Zekës, bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij kujtojnë veprën, qëndresën dhe sakrificën e tij për lirinë e munguar ndër shekuj.
Vlerësohet lartë personaliteti dhe veprimtaria e Taip Zekës. Ata thanë për 2LONLINE.com se Taip Zeka ishte njëri nga veprimtarët të shquar të Lëvizjes Klandestine në Kosovë dhe viseve të saj dhe njëkohësisht ishte vëllai më i vogël i ideologut Kadri Zeka që u vra në një atentat së bashku me vëllezërit Gërvalla në janar të viti 1982.
Ish drejtuesi i LPK- së Fazli Veliu vlerëson lartë personalitetin e Taip Zekës duke theksuar se: “duke qenë si veprimtar brenda vendit, Taip Zeka ishte i bekuar për ta bartur dhe çuar përpara frymën çlirimtare nga një gjeneratë në tjetrën. Ai mbajti kontakte me celulat më të rëndësishme ilegale, si në Presheva, Kumanova, Tetova, Gostivari, Kërçova, Strugë, e shumë qytete të tjera të hapësirës shqiptare.
Ai më shumë se ne të gjithë, i lidhi hallkat e organizimit në të gjithë hapësirën shqiptare. Frymën e Kadri Zekës e shpërndau Taip Zeka në masovizimin e luftës së armatosur për çlirimin e tokave shqiptare.
Ndërkaq Fatmir Arifi, veprimtar nga Lugina e Preshevës thotë se po bëhen katër vite nga shuarja nga jeta e veprimtarit Taip Zeka, i cili është shquar për guximin dhe qëllimin e tij të lartë njerëzor e kombëtar.
“Nuk është shquar kurrë për interesa familjare, apo individuale, apo për ndonjë interes të ngushtë e meskin. Ishte shembull për të gjithë ne. Asnjëherë në fytyrën tij nuk kamë parë ngrysje, lot a zhgënjim. Gjithnjë të ai kamë parë prindin e dashuruar, bujarinë e një miku dhe krenarinë e një veprimtari të madh!”, shtoi ai.
Albulena Halili nga Tetova u shpreh se: “mozaiku i çështjes sonë kombëtare përbëhet nga shumë pjesë: epoka, heronj, beteja, fitore, krenari, dinjitet, mbijetesë, luftë… Secila copë ka vendin dhe peshën e saj në këtë mozaik. Taip Zeka po aq sa edhe i vëllai, Kadri Zeka, bën pjesë te pjesët e mëdha të këtij mozaiku që akoma s’është përfunduar. Ata mbeten udhërrëfyes dhe frymëzues të mëdhenj përgjatë rrugës sonë”
Veprimtari Fatmir Beqir Limani, i biri i heroit kombëtar, Beqir Limani nga Kërçova, në shenjë nderimi në katër-vjetorin e shuarjes nga jeta të veprimtarit të madh, Taip Zeka thotë: “Familjen Zeka nga Poliçka e Anamoravës kauza kombëtare nuk e gjeti në befasi. Përkundrazi: këtë kauzë çlirimtare e ideoi dhe parashtroi i madhi Kadri Zeka. E implementoi pasuesi i tij, Taip Zeka. Kjo familje ka merita të pakrahasueshme për lirinë kombëtare. Familje të tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjithë kombet kanë madhështi të tilla, që në gjirin e vet të lindin Kadri Zeka dhe Taip Zeka! Ashtu si i gjithë kombi shqiptar, edhe Kërçova përulet para veprimtarisë s; tyre atdhetare! i përjetshëm qoftë kujtimi për veprimtarin e madh Taip Zeka.
Ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UÇPMB-së, Mustafë Shaqiri- Shpëtimi ndër të tjera theksoi se Taip Zeka ishte personi që barte frymën çlirimtare nga Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha tek gjenerate e re, e cila nga vitin 1997 deri në vitin 2001 i qëndroi besnike kësaj fryme, duke luftuar me armë në dorë për sendërtimin e idealeve të këtyre prijësve kombëtarë.
Luan Veliu nga Gostivari thotë se Taip Zeka ishte nga ajo gjeneratë që i vuri kazmën ish Jugosllavisë Titiste. Është nga ata filizat e vitit 1979, i cili u bë lis i pamposhtur në vitin 1997- 1999.
Ish veprimtari Taip Zeka sot mbush katër vite nga ndarja e tij nga jeta. Por kujtimi për të po bartën nga breza në breza.