Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi me stafin e tij në lokalet e Stacionit Policor në Kamenicë kanë takuar Drejtorin e Arsimit, Afrim Dervishi.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për gjendjen e sigurisë e cila nga ana e të gjithë të pranishmëve në takim është vlerësuar e mirë dhe stabile në të gjitha ambientet shkollore dhe përreth tyre.
Nga Kolonel Rukiqi u theksuar se që nga fillimi i vitit të ri shkollor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan është në zbatim e sipër të planit operativë “Siguria në Shkolla” me detyra konkrete për njësitet në terren duke planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prezencë të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal. Po ashtu do të implementohen projekte e fushata vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore.
Edhe Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi u shpreh se falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës gjendja e sigurisë në shkolla të kësaj komune është e qetë, e bashkëpunim është i një niveli të kënaqshëm.
Të pranishmit u zotuan se bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve në aspektin e sigurisë do të jetë i vazhdueshëm. /2LONLINE/