Këtë të shtune, më 2 dhjetor 2017, ora 12:00, në Bibliotekën e re të qytetit, shtjellon krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur, Agim Gjakovës.
Referojnë studiuesit e letërsisë: Anton Nikë Berisha, Behar Gjoka si dhe Kosovare Krasniqi.
Agim GJAKOVA
ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s’heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.