Në edicionin e radhës të manifestimit kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit 2021” u bë përurimi i tri veprave të Dr. Xhavit Hajdarit.
Si në çdo edicion tjetër, masat e pandemisë kanë kufizuar praninë e madhe të pjesëmarrësve, prandaj para një numri të kufizuar dashamirësish të fjalës së shkruar, biblioteka e qytetit në bashkorganizim me drejtuesin e “Ars klub-it” dhe shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, z. Sabit Rrustemi, u përuruan veprat e Dr. Xhavit Hajdarit: Kujtime e rrëfime jetësore”, “Ditari në kohë pandemie” dhe libri “600 anekdota, barsoleta, fjalë të urta popullore dhe tregime”, të botuara nën ombrellën e shtëpisë botuese “Kurora” nga Gjilani.
Hapjen e këtij manifestimi e bëri drejtuesi i “Ars klubit”, z. Sabit Rrustemi, i cili prezantoi një biografi të shkurtër të autorit Hajdari, duke shkoqitur edhe aktivitete të tjera të jetës profesionale, politike e shoqërore të dr. Xhavit Hajdarit, ndër vite.
Brenda rreth një ore, katër referues si dhe vetë autori, përmblodhën bërthamën e këtyre librave, duke shkoqitur secili nga prizmi i tij këto vepra që autori i shkroi brenda një viti, në kohë pandemie.
Deklamimi i disa pjesëve nga këto libra, i zonjës Shpresa Hajdari ia shtuan koloritin këtij përurimi.
Botuesi dhe shkrimtari Hysen Këçiku, që ishte edhe recensues i librave, te libri i parë me titull “Kujtime e rrëfime jetësore”, për ta madhëruar punën e autorit, i cili në libër na sjell ngjarje autoktone, doke e zakone, pjesë nga tradita dhe gjenealogjia familjare, të shprehura përmes toponimeve dhe pasurisë arkeologjike e etnografike, vë në spikamë personazhet me të cilët autori ndërton librin, siç janë: babë Abdyli, nënë Xhemilja, bashkëshortja Shpresa, vëllezërit dhe fëmijët, si dhe mbesa dhe pasardhësit tjerë në ardhje. Madje, ai përkujton edhe porosinë e autorit
që ua preferon edhe të tjerëve: “Një ditë, kur unë nuk do të jem në jetë, të interesuarit le të më kërkojnë në këtë libër”! Me këtë, recensuesi Këçiku përforcon proverbin latin, se: “fjalët i merr era, kurse dokumentet e shkruara ruhen”.
Hysen Këçiku vlerësoi lart edhe dy librat tjerë të dr. Xhavit Hajdarit, pjesë nga të cilat shkëputi edhe në referimin e tij para auditorit të këtij manifestimi letrar.
Redaktori i këtyre librave, Xhevdet Kallaba u ndal te rëndësia e shkrimit të këtyre librave në kontekst të kohës, sidomos për faktin që autori Xhavit Hajdari sjell lidhshmërinë ndërvepruese të katër gjeneratave, si model për shumë autorë të tjerë.
Me këtë rast, ai përgëzoi autorin për shfrytëzimin e brumit, jo vetëm për monografinë familjare, por edhe për begatinë kulturore e historike të vjelë nga gjyshi i tij Isuf Burinca, e që mund të shërbejnë si pjesë mozaiku për një monografi të të gjithë zonës së Karadakut.
Redaktori po ashtu përkujton se autori me profesion është mjek, por që, si shumë intelektualë të tjerë, duhet të japë kontribut edhe në fushën e letërsisë, e pse jo edhe në lami të tjera që begatojnë kulturën tonë kombëtare.
Nga libri i anekdotave, redaktori përzgjodhi anekdotën e realizuar dhe treguar nga gjyshi i autorit, Isuf Burinca, me porosi të përshtatshme për çdo kohë e për çdo vend, e pse jo edhe për aktualitetin e sotëm, me titull “Lepuri i vetëmashtruar”: – “Gjyshi Isuf, vetëm disa javë para se të vdiste, në moshën 90-vjeçare, e kishte vrarë një lepur. Djali i vet, Idrizi dhe fqinji, Mala që kishin dëshirë me gjuejt, por që nuk u ecte gjuetia, me habi e pyetën mixhën Isuf: – a edhe në këtë moshë po sheh me vra lepur? Plaku u tha: jo, ishte shumë lehtë me e vra, sepse lepuri nuk luante vendit. Lepuri ishte çliruar, sepse kujtonte që e ka marrë në thumb Idrizi ose Mala, – por i doli tjetërkush”.
Redaktimi dhe përgatitja për shtyp i tri librave, brenda një kohe të shkurtër, ishte një trysni për redaktorin, por ai ishte i kënaqur që librat e dr. Xhavit Hajdarit, në një afat të shpejtë, u bënë pjesë e bibliotekave dhe lexuesve gjilanas e më gjerë.
Një fjalë rasti të titulluar: “Jeta e një personaliteti” e paraqiti edhe kritikja letrare dhe psikologia Selvete Abdullahu. “Gjithmonë kur shkruajmë për një figurë kemi parasysh ecejaket dhe rrugën deri te arritja e qëllimit të caktuar, duke u bazuar edhe në pengesat dhe peripecitë e kaluara për të arritur te realizimi i synimeve dhe objektivave jetësorë. Një rrugë e tillë e vështirë përplot ulje e ngritje dhe pengesa të tjera e ka përcjellë edhe zhvillimin personal të autorit dr. Xhvit Hajdari”, filloi fjalën e saj zonja Selvete.
Gjatë referimit të saj, të përgatitur me përkushtim profesional letrar zonja Abdullahu sjell shembuj të vazhdueshëm nga rrëfimet jetësore të autorit Hajdari. Pra, ajo auditorin e bën kureshtar për leximin e këtyre veprave, duke potencuar situata të ndryshme që autori i përshkruan në kohë të ndryshme gjatë jetës së tij; ta zëmë: shpalosja e historive në faza të ndryshme të zhvillimit fizik, psikik dhe emocional të tij; prezantimi i vargjeve të Çajupit si model për atdhedashuri: “Këtu është toka/ ku më ka rënë koka/ ku kam nënë e ku kam atë/ ku më njeh dhe guri thatë…”; pason përshkrimi i shkollimit, shërbimit ushtarak, helmimit të nxënësve dhe kujdesja ndaj tyre, puna në ordinancën private “Etika” dhe përvoja e asaj kohe; përjetimet nga koha e bombardimeve të NATO-s, peripecitë rreth lëshimit të fletarrestimit etj, etj.
Për dashurinë ndaj familjes si dhe paraqitjen e një kohezioni ndërmjet traditës sonë, empatisë dhe lidhshmërisë së gjakut e të fisit, zonja Slevete ndan një fragment nga libri për të thënë: “katër fëmijët e vëllait, Ilazit i kam emërtuar vetëm me një porosi të vëllait: zgjidh një emër të bukur me kuptim shqip”. Me këtë psikologia Abdullahu qartëson për besimin e ndërsjellë në familje si pasqyrë e mirëfilltë për raportet familjare dhe krijimin e një klime përplot besim, dashuri e kujdes, por edhe ndërtim të raporteve të shëndosha të familjes shqiptare, përkatësisht të familjes Hajdari.
“Po të mos e kisha lexuar librin “Kujtime e rrëfime jetësore” dr. Xhavit Hajdarin do ta njihja vetëm si mjek internist, por jo edhe gjithë historinë e tij dhe të familjes së gjerë”, përfundoi fjalën e saj zonja Abdullahu, duke e përgëzuar doktorin për këta libra të shkruar.
Një qasje nga prizmi profesional i mjekut, sidomos për librin “Ditari në kohë pandemie” e dha recensuesi e kolegu i dr. Xhavit Hajdarit si dhe enigmati i njohur dr. Zijadin Hasani. Ai shpalosi njohjen me dr. Xhavitin që nga shkolla e mesme si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e mjekësisë në Gjilan, me theks të veçantë në aktivitetet vullnetare gjatë periudhës së largimit nga institucioni shëndetësor dhe veprimi paralel, qoftë si mjek të ordinancave private ose edhe si mësimdhënës në Shkollën e mesme të mjekësisë në Gjilan.
Në përmbyllje të këtij përurimi, në emër të organizatorit, Sabit Rrustemi uroi autorin e këtyre tri librave, dr. Xhavit Hajdarin dhe referuesit e përurimit, duke bërë me dije se biblioteka e qytetit dhe “Ars klubi” vazhdojnë edhe rreth shtatë javë prezantimin e vlerave krijuese në kuadër të “Vjeshtës letrare të Gjilanit”.
Xh. Kallaba
Foto: Muhamed Sadriu