Pas sukseseve të treguara të Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi, zyrtarë të NATO-s, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe këshilltarë bilateralë vizituan Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit të Kërkim-Shpëtimit në Pomozatin.
Me këtë rast, ata u pritën nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade, Naim Haziri dhe Drejtori i Qendrës, John Doone.
Ky delegacion pati rastin njoftohet me historikun, misionin, strukturën organizative, fushëveprimin, të arriturat e deritashme, personelin, pajisjet, infrastrukturën, ambientet trajnuese, aktivitetet aktuale, sfidat dhe projektet për të ardhmen.
Gjithashtu ata vizituan objekte të ndryshme të cilat simulojnë rrethana të caktuara fatkeqësish, si tunele dhe ndërtesa të shembura si dhe pishinën e thellë pothuajse të përfunduar për trajnimin e shpëtimit nënujor.
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në Pomozatin përpos personelit të FSK-së, trajnohen edhe personeli i institucioneve tjera të sigurisë, si dhe OJQ të vendit tonë. Gjithashtu, në këtë qendër, deri më tash, nga fusha e kërkim-shpëtimit janë trajnuar edhe pjesëtarë nga shtete të ndryshme të botës. /2LONLINE/