Në kuadër të vizitës zyrtare në Pragë, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga zëvendësministri për Punë Evropiane, njëherësh këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Çekisë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, Tomáš Pojar.
Në këtë takim u bisedua mbi të ardhmen evropiane, sfidat dhe çështjet me interes të përbashkët. U trajtua kriza e energjisë dhe gjetja e metodave alternative të përballimit të saj. Më tej, theksi u vendos në agjendën ambicioze të Republikës së Kosovës në integrimin evropian. U potencua nevoja për liberalizimin e vizave dhe synimi për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti. Gjithashtu, u përmend dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është një shtet me shoqëri dhe demokraci vibrante, me potencial të madh. ‘’Demokracia sjell vlera dhe kjo është përkthyer në zhvillim dhe rezultate konkrete’’ u shpreh z. Bislimi. Zhvillimi ekonomik dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë sjellë efekte pozitive si rritja dyshifrore ekonomike (10.53%), rritje e eksporteve prej 83%, rritje e investimeve të huaja direkte për 22%, rritje e të hyrave buxhetore dhe qarkullimit vjetor të bizneseve për 1/3-tat dhe krijimi i 25.000 vendeve të punës ndër shumë të tjera.
Këto arritje e kanë drejtuar Kosovën kah një trajektore e re e zhvillimit, të reflektuar dhe në rritjen me 17 pozicione në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit e poashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket çështjes së dialogut, u theksua se kemi dëshmuar që jemi palë konstruktive dhe mbesim të përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe ka në qendër njohjen reciproke.
Në takim u fol dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fusha dhe sektorë me interes të përbashkët. Z. Bislimi e falënderoi z. Pojar për mikpritjen dhe bisedën e frytshme. Në këtë takim, ishte zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua nga ambasadorja e Kosovës në Republikën Çeke, Albesjana Iberhysaj. /2LONLINE/