Me rastin e vizitës së Shefit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Eberhard Zorn dhe pritjes me nderimet më të larta ushtarake nga ana e Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për mbështetjen e deritashme në përgjithësi dhe donacionit të sotëm në veçanti, atë e priti Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se miqësia me Republikën Federale të Gjermanisë rrjedh natyrshëm si lidhje nga e kaluara që vazhdon të thellohet me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet të të dyja shteteve, dëshmi e së cilës është ndihma e vazhdueshme që pranojmë nga ky shtet, ashtu siç edhe sot pranuam donacionin me pajisje të deminimit.
Në takim me Gjeneral Zorn, Ministri Mehaj bisedoi rreth fushave specifike ku mund të rrisim bashkëpunimin, me theks të veçantë në logjistikë, në fushën e mjekësisë, si dhe trajnime të përbashkëta që do shërbejnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.
Ministri Mehaj, ndër të tjera, e njoftoi edhe rreth aktiviteteve që FSK është duke zhvilluar në përgatitjet për stërvitjen “Defender- Europe ’23”, si shtet nikoqir i këtij ushtrimi fushor, por gjithashtu dhe për gatishmërinë për të ofruar trajnime për forcat ukrainase.
Ministri Mehaj, gjithashtu, Gjeneralit Zorn i ofroi bashkëpunim në fushën e shkëmbimit të informacioneve, dhe në zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta në terrenet tashmë të shpronësuara në hapësirën e ish-Aeroportit të Gjakovës, në Cernushë dhe Babaj të Bokës.
Edhe një here, ai shprehu rëndësinë e investimit të kompanive gjermane në industrinë e mbrojtjes në Republikën e Kosovës dhe synimin që ne si ushtri dhe si shtet kemi për tu anëtarësuar në NATO dhe BE. /2LONLINE/