Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes komunës së Vitisë dhe asaj të Kllokotit, më 23 shkurt të vitit të kaluar, e që kishte për qëllim bashkëpunimin ndëretnik, si dhe atë për bashkëpunim ne interes të qytetarëve të të dyja komunave, ku i pranishëm ishte edhe Jӧrn Rohde, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, sot u mbajt një takim në vazhdën e kësaj marrëveshje ku u diskutua për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Kllokotit.
Senad Ramaj, kryeshef ekzekutiv i Kompanisë ”EcoHigjiena”, si dhe Haxhi Qerimi udhëheqës i Njësisë së kësaj kompanie në Viti, u pritën nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komunës së Kllokotit, me që rast u diskutua për modalitetet dhe hartimin e marrëveshjes mes komunës së Kllokotit dhe Kompanisë EcoHigjiena.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Eco Higjiena” Senad Ramaj tha se komuna e Kllokotit ka qenë deri më tani jashtë menaxhimit të mbeturinave nga kjo kompani. Ai theksoi se janë të interesuar të kenë një bashkëpunim me komunën e Kllokotit, ndërkohë që vlerësoi lartë bashkëpunimin me komunën e Vitisë të cilën edhe e quajti si lider sa i përket bashkëpunimit.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehi gatishmërinë për të mbështetur në të gjitha format komunën e Kllokotit sa i përket menaxhimit të mbeturinave dhe tha se jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo përkrahje që u nevojitet në këtë aspekt, duke përmendur se në vazhdimësi kanë ndihmuar këtë komunë në shumë sfera. Përfaqësuesit e komunës së Kllokotit, u shprehën falënderues Institucioneve komunale të Vitisë për përkrahjen e vazhdueshme që po u japin atyre në shumë fusha, ndërkohë që mirëpritën iniciativën për menaxhimin e mbeturinave në këtë komunë. /2LONLINE/