Një delegacion nga Komuna e Vitisë ka qëndruar gjatë këtyre ditëve në Komunën Kirchhain të Hesenit në Gjermani. Kjo vizitë është zhvilluar në kuadër të partneritetit të dy komunave por edhe të fshatit Smirë me fshatin Kleinselhaim.
Ky partneritet është mundësuar nga projektit ‘Partneritete të qëndrueshme komunale’, i cili financohet nga Ministria Federale e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik kurse implementohet nga Zyra e Komunave në një Botë. Bashkëpunimi midis Vitisë dhe Kirchhainit ka nisur në korrik të vitit 2016 e në fillim të vitit 2017 Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe ai i Kirchhainit Olaf Haussman kanë nënshkruar marrëveshjen për partneritet.
Ndërkaq gjatë këtij vitit pritet të realizohet edhe një projekt në fushën e biodeversitetit dhe mbrojtës së mjedisit në të dy komunat. Ndonëse deri me tani të dy komunat kanë qenë në fazën e pilotimit është e mundur që ato të vazhdojnë partneritetin dhe të aplikojnë për projekte të tjera dhe kanë mundësinë të përfitojnë mjete financiare për realizimin e projekteve të reja në një vlerë më të madhe.
Gjatë vizitës që i ka bërë delegacioni nga Vitia në komunën e Kirchhainit ata pos që janë takuar me përfaqësuesit komunal kanë vizituar edhe shikuar shumë projekte që janë realizuar në fushën e mbrojtës së mjedisit dhe energjisë së ripërtritëshme. Gjithashtu ata janë njohur edhe me projektet e tjera të cilat do të realizohen nga komuna gjermane.