Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria komunale e Arsimit, në Viti është shënuar 7 Marsi-Dita e mësuesit, ku të pranishëm ishin udhëheqës të Institucioneve komunale, punëtorë arsimor, nxënës e qytetarë të tjerë.
Një fjalë rasti e mbajti zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, i cili theksoi se është nder dhe kënaqësi e veçante që në emër të institucioneve komunale të Vitisë, si dhe në emër të qytetarëve të kësaj komune, të shpreh nderimin më të thellë , admirimin më të madh për kontributin e mësimdhënësve në edukimin dhe formimin qytetarë të fëmijëve ndër breza.
“7 Marsi është̈ ditë e shënuar në historinë e arsimit në gjuhën shqipe, ditë kjo që ka hyrë në kujtesën historike të mësimdhënësve shqiptarë, si njëri nga fondamentet e zhvillimit tonë. Emancipimi i popullit shqiptar, vazhdon ashtu siç ishte projektuar nga rilindasit tanë, përmes pendës, në drejtim të zhvillimit konstant të vlerave edukative-arsimore.
Ai gjithashtu ka thënë se duke kuptuar sakrificën e shumë mësimdhënësve të cilët gjatë punës së tyre u ballafaquan dhe shijuan kohërat më të vështira , dhe si institucione komunale, do ti përkrahin në misionin e shenjtë.
Në këtë manifestim foli edhe drejtoresha për Arsim Arta Ajeti, e cila mes tjerash, ka uruar mësuesit dhe ka folur për rolin e tyre si pishtarë të arsimit, të cilët, sipas saj, edhe në kushte shumë të vështira nuk i janë shmangur misionit të tyre për të qenë gjithmonë afër gjeneratave të reja në arritjen e shkallës së arsimimit dhe të edukimit.
Me këtë rast, u nderuan me mirënjohje mësimdhënësit e dalluar të shkollave të komunës së Vitisë. /2LONLINE/