(2L ONLINE) – Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve është diskutuar rreth pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën Janar-Shator 2014 si dhe rreth propozim vendimit për emërimin e rrugëve nëpër fshatrat e Komunës së Vitisë. Gjatë shqyrtimit të pasqyrave financiare është dhënë se Komuna e Vitisë gjatë kësaj periudhe deri me tani ka shpenzuar 5.988.192,01€ nga gjithsej 9.203.850,72€ të cilat janë të aprovuar për vitin 2014. Gjithashtu duke bërë krahasimin e të hyrave për të njetën periudhë të këtij viti me vitin 2013 del se Qeveria e tanishme Komunale e Vitisë ka realizuar 90.930,09 € më shumë sesa në vitin paraprak.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ibrahim Rama duke paraqitur pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën Janar-Shator 2014 për të gjitha kategoritë ekonomike theksoj se gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 5.988.192,01€.
“Ekzekutimi i shpenzimeve të buxhetit komunal për periudhën Janar-Shator të këtij viti është duke u realizuar sipas planit dinamik, për këtë periudhë kemi shpenzuar 5.988.192,01€ ose 76.33%.Ndërkaq në kategoritë e tjera janë shpenzuar për paga dhe mëditje 75.34%,kapitale 13.71%, subvencione 1.26%, Komunali 2.06% si dhe mallra dhe shërbime 7.63%.” tha drejtori Rama.
Ai mandej i bëri të ditur edhe shpenzimet të tjera nëpër drejtorit dhe sektorët e Komunës së Vitisë. Ndërkaq duke folur rreth shpenzimeve në realizimin e investimeve kapitale ai theksoi se kjo komunë është e përkushtuar që për muajt të mbetur të bënë realizimin e 100% të buxhetit.
Rama ka përmendur ndërtjerash edhe shkallën e realizimit e të hyrave për këtë periudhë dhe atë duke e krahasuar me të njetën periudhë të vitit të kaluar e nga kjo del se Qeveria e tanishme Komunale e Vitisë ka realizuar 90.930,09 € më shumë sesa në vitin paraprak.
Ndërkaq zv. Kryetari i Komunës së Vitisë Hasan Aliu theksoi se për kundër rritjes se shkallës së inkasimit të hyrave kjo qeveri është e përkushtuar që të rrisë edhe më shumë shkallën e inkasimit si dhe të zvogëloj shpenzimet.
“Ju sugjeroj që të bëni analizat e nevojshme që të shtojmë edhe më tutje intensitetin e punës në vjelljen e taksave aty ku është e mundur” u shpreh zv. Kryetari Aliu.
Ndërkaq gjatë këtij takimi është paraqitur edhe propozim vendimi për emërimin e rrugëve nëpër fshatrat e Komunës së Vitisë e që kjo punë është bërë nga komisioni përkatës në bashkëpunim me këshillat e fshatrave të kësaj komune me mekanizmat e tjera./2L ONLINE/