Me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në prag të shënimit të festës së njohur me emrin “Zoja e Madhe ”, e cila për çdo vjet mbahet në Letnicë të Vitisë dhe që mbledh pelegrinë nga vendet e ndryshme të botës e në veçanti nga shteti kroat, është mbajtur sot një takim i përbashkët në mes të përfaqësuesve të Institucioneve Komunale të Vitisë, Policisë së Kosovës, Kishës Katolik dhe të tjerë.
Me këtë rast kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka potencuar se edhe sivjet kjo komunë është përgatitur me plan të veprimit me qëllim të organizimit sa më të mirë të kësaj feste dhe pritjes së fluksit të qytetarëve të cilët do të jenë pranishëm për disa ditë në Letnicë të Vitisë.
Kryetari Haliti tha se komuna e Vitisë, vazhdimisht ka kërkuar që në veçanti gjatë kohës kur kemi këtë festë të madhe ata kanë bashkëpunuar me kompanitë regjionale që të rrisin ofrimin e shërbimeve për qytetarë dhe do ta kërkoj që kjo gjë të bëhet edhe gjatë këtij viti, në veçanti në ofrimin e shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave, furnizimit me ujë dhe me energji elektrike.
Ai tha se komuna e Vitisë, konkretisht Drejtoria e Inspekcionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Viti, do të përkujdesën në sigurinë në trafik dhe në qarkullimin pa pengesë dhe të sigurt të pjesëmarrëseve në komunikacion.
Kurse lidhur me mbarëvajtjen e sigurisë publike ka folur Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, i cili theksoi se polica është në dijeni të shënimit të kësaj feste pasi që ajo shënohet tradicionalisht në këtë lokalitet dhe do të bashkëpunojë me të gjithë që ajo të organizohet sa ma mirë.
Megjithatë ai ka kërkuar që edhe për kundër lirimit të disa masave nga gjendja e pandemisë të respektohen masat aktuale pasi që shifrat flasin për rritje të infektuarave me virusin COVID-19.
Ndërkaq përfaqësuesi i Kishës Katolike, Famultari Dom Marjani, falënderoi komunën e Vitisë, Policinë dhe të gjithë ata për përkrahjen e vazhdueshme në shënimin e kësaj feste duke potencuar dhe ata gjithmonë janë të kënaqur me bashkëpunimin në këtë drejtim dhe shtoi se ai mburrët me rregullin dhe rendin që mbahet gjatë shënimit të aktiviteteve për nder të kësaj feste që mbledh njerëz nga mbarë bota në Letnicë të Vitisë. /2LONLINE.com/