(2L ONLINE) – Komuna e Vitisë është ndër 17 komunat e Kosovës që do të jetë pjesë e projektit më të madh të financuar nga ambasada zvicerane, që ka për qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në tri fusha.: shërbime publike, menaxhim të mbeturinave, menaxhimin financiar dhe demokracinë lokale.
Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandum të bashkëpunimit me komunat partnere, menaxheri i projektit DEMOS Norbert Pijls, ka thënë se ky projekt do të zgjas rreth tre vjet dhe do të jetë paralel me mandatin e Kuvendeve Komunale si dhe kryetarëve të komunave. “Sot jemi këtu ta fillojmë projektin. Ky projekt do të zgjas për 3.5 vjet, deri në fund të vitit 2017, që pak a shumë do të jetë paralel me mandatin e Kuvendeve Komunave dhe kryetarëve të komunave”, ka thënë Pijls.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, e cila ka theksuar se nuk është çudi pse Zvicra e mbështetë Kosovën, pasi që kanë ndërlidhje të forta njerëzorë mes dy vendeve, duke shtuar se 10 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë në Zvicër.
Për kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin, nënshkrimi i memorandumit ka një rëndësi tejet të madhe në investimet ardhshme si dhe projektet që të reflektojnë pozitivisht në shërbimin e qytetarëve dhe në ndërtimin e një kornize politike e cila do të jetë më e përmirësuar dhe kompletuar për qeverisjen lokale. Komunat pjesëmarrëse janë: Prishtina, Kamenica, Novobërda, Graçanica, Lipjani, Vitia, Kacaniku, Peja, Gjakova, Rahoveci, Ranilluga, Parteshi, Kllokoti, Hani i Elezit, Mamusha dhe Juniku./2L ONLINE/