(2L ONLINE) – Komuna e Vitisë, konkretisht Njësia për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë mbajtur sot një takim pune ku është themeluar mekanizmi koordinues për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, si dhe është prezantuar Strategjia Komunale kundër dhunës në familje për periudhën 2015-2017.
Po ashtu sot pjesëmarrësit në këtë takim janë njohur dhe kanë debatuar edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit për institucionalizimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje dhe mënyrat e funksionimit të saj në këtë komunë. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet nga aktorët e ndryshëm institucional dhe organizatave jo qeveritare në javët në vijim, ndërkaq strategjia pritet të procedohet në Kuvendin Komunal të Vitisë.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke folur për këtë çështje theksoj se Institucionet Komunale të Vitisë janë të përkushtuar që përmes dokumenteve konkrete të bashkërendojnë punët por të qartësohet edhe ndarja e përgjegjësive lidhur me rastet e dhunës në familje.
“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që të ju dalim në ndihmë rasteve të dhunës në familje, konkretisht Njësia për të Drejtat e Njeriut në Viti ka punuar në këtë drejtim duke hartuar një strategji për vitet 2015-2017 kundër dhunës në familje por edhe në javët në vijim pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi për institucionalizimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje dhe mënyrave të funksionalizimit të saj në komunën tonë” U shpreh zv. Kryetari Aliu.
Ai tha se Komuna e Vitisë po bënë përpjekje maksimale që të ju kushtohet një vëmendje të veçantë këtyre rasteve duke potencuar se për këtë do të bashkëpunoj me të gjitha mekanizmat ligjor.
Ndërkaq Koordinatorja për të Drejtat e Njeriut në Viti, Ibadete Hyseni duke folur për marrëveshjen e bashkëpunimit për Institucionalizimit e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje dhe mënyrën e funksionalizimit të saj në komunën e Vitisë
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i nivelit të sigurisë dhe efikasitetit për parandalimin, trajtimin dhe riintergrimin e rasteve të dhunës në familje, duke siguruar në vazhdimësi mirëqenie për këtë kategori personash që janë viktima të dunës në familje, përmes institucionalizimit të këtij mekanizmi dhe koordinimi dhe monitorimin e politikave” U shpreh Hyseni.
Sipas raportit statistikor të Qendrës për Punë Sociale janë të evidentuar gjatë vitit 2014, 20 raste të dhunës në familje ndërkaq në vitin 2013 janë shënuar 17 raste. Poashtu sipas këtij raporti kryesisht viktima të dhunës janë femrat. Për ndryshe komuna e Vitisë është zgjedhur si Pilot Projekt nga regjioni i Gjilanit nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për aktivitete në parandalimin e dhunës në familje./2L ONLINE/