Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar Shqiptar komuna e Vitisë, ka mbajtur sot manifestimin qendror në shtëpinë e kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti.
Ndërsa në orët e paradites janë bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Vitisë.
Pas homazheve dhe vendosjen e kurorave të luleve në kompleksin e dëshmorëve në Viti, nga ana e përfaqësuesve të institucioneve komunale, subjekteve politike, mekanizmave të tjera si dhe qytetarëve, është mbajtur manifestimi qendror në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”.
Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu pasi që ju ka uruar gjithë shqiptareve kudo që janë këtë festë, ka folur mbi rëndësinë që ka 28 Nëntori.
“Dita e shpalljes së pavarësisë 28 Nëntori, është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë të rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë. Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Heronjtë dhe dëshmorët shqiptarë, me heroizmin e tyre në të gjitha luftërat për çlirimin e trojeve dhe lirinë e popullit shqiptar, u bën pasuri kombëtare dhe janë më meritorët, për gjatë gjithë historisë për të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë”, u shpreh zëvendëskryetari Aliu.
Kurse më pas në nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është mbajtur një koncert me program të pasur kulturor dhe artistik. Ndërsa për nder të kësaj festë qendra e qytetit të Vitisë, ishte mbushur sot përlotë flamuj kuq e zi.