(e korigjuar) – Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtori rajonal i policisë në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka bërë me dije se me 26.08.2017 rreth orës 12:25, Policia është njoftuar nga qendra emergjente e Vitisë se aty është sjellë një person me emrin Refik Halili me lëndime të rënda trupore.
I njëjti pas ndihmës së parë mjekësore është dërguar në qendrën emergjente të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, e më pas në qendrën emergjente të QKUK-së në Prishtinë. Në ndërkohë është kuptuar se viktima ka ndërruar jetë.
“Njësiti patrullues ka shkuar në lokacionin ku ka ndodhur rasti në fshatin Goshicë të Vitisë ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka arritur që të mbledh informata se personi i lënduar kishte rënë nga një shtyllë elektrike e betonit, ku kishte qenë duke punuar për shtrirjen e kabllove për shpërndarje të rrjetit të internetit në fshat’’, ka thënë nënkolonel Azizi.
Sipas tij, lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që të iniciohet rasti dhe të klasifikohet ,”Lëndim i rëndë trupor’’ dhe të dorëzohet në Njësinë e Hetimeve për hetime të mëtutjeshme.