/2L ONLINE/ – Debatet për planifikimin e buxhetit, kanë vazhduar edhe sot në kuadër të takimeve me kategoritë e ndryshme, respektivisht grupet e grave të komunës së Vitisë, ku interesimi i tyre për të paraqitur kërkesat që do të shqyrtohen në hartimin e buxhetit për vitin 2017-2019 ka qenë i madh.
Grupet e grave të komunës së Vitisë, patën rastin që nga zv.kryetari i komunës Hasan Aliu dhe drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim ekonomik Ibrahim Rama të njihen më hollësisht rreth procedurave të hartimit të buxhetit deri në aprovim, si dhe parashtruan edhe disa kërkesa të cilat janë në interes të grave.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se në kuadër të diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal, komuna ka zhvilluar një sërë debatesh nëpër lokalitete, ku është njoftuar me nevojat e banorëve, ndërsa tani po debaton me kategoritë e ndryshme, siç është edhe ky diskutim publik me gratë që të njihemi më për së afërmi me nevojat dhe kërkesat tuaja.
Ndërkaq, Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama i njoftoj ato për buxhetin komunal për vitin në vijim duke potencuar se buxheti i përgjithshëm i komunës për vitin 2017 është 10 milion e 19 mijë euro. Ai përmendi edhe përpjekjet dhe mbështetjen që Institucionet i kanë dhënë grupeve të grave, si dhe me buxhetin e ardhshëm ku do të mund të ndihmon përmes subvencioneve të ndryshme.
Në emër të grupit të grave, doktoresha Xhylsime Qamili njiherit asambleiste e Kuvendit Komunal, ka paraqitur disa propozime që do të mund të shqyrtoheshin në hartimin e buxhetit, që kryesisht kishin të bënin me investime kapitale siç është ndërtimi i një ashensori në QKMF, ndërtimi i një Çerdhe në Viti dhe Pozheran,, blerjen e një mamografi, ndërtimin e një qendre për përkujdesjen e personave me çrregullime mendore etj.
Ndërsa, gratë prezentë në këtë debat, patën edhe kërkesa të tjera që kishin të bënin me mbështetje në veprimtaritë e tyre, rritjen e kapaciteteve etj. /2L ONLINE/