Është mbajtur sot paradite debati rreth plotësimit të draft rregullores për taksa, ngarkesa dhe gjoba, përmes së cilës caktohet lartësia e taksave (tarifave), ngarkesave dhe gjobave për shërbime nga veprimtaritë komunale, që do ti paguajnë personat fizik dhe juridik, në emër të shërbimeve komunale, lëshimit të dokumenteve publike, përpilimit të shkresave dhe ofrimit të shërbimeve profesionale sipas kërkesës së palëve apo sipas detyrës zyrtare.
Gjithashtu, kjo rregullore parasheh dhënien e lejeve të punës për ushtrimin e veprimtarisë afariste dhe tregtare, lejeve për punë profesionale, për pronësi të automjeteve, si dhe të përdorimit apo shfrytëzimit të pronës komunale.
Janë përfshirë edhe ngarkesat për ndërtimin dhe rrënimin e objekteve, për shfrytëzimin e burimeve natyrore, gjobat nga trafiku dhe gjobat për shkeljen e rregulloreve komunale.
Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, në Komunën e Vitisë, Ibrahim Rama, ka njoftuar rreth hartimit të këtij drafti në koordinim edhe me drejtorit tjera, ndërkohë që ka bërë të ditur se me plotësim ndryshimet që vijnë tani, si i tillë do të duhet të miratohet në Kuvendin Komunal jo më larg se më 30 shtator.
Ai bëri të ditur se taksa për bizneset sërish është pezulluar edhe për vitin 2022, kurse ka theksuar se shuma e të hyrave komunale përmes kësaj rregullore është 987.000 euro.
Pjesëmarrësit patën rastin të parashtrojnë pyetje por edhe të japin propozimet e tyre, ndërkohë që kjo draft rregullore, do të kaloj më pas në Komitetin për Politikë e Financa e pastaj edhe për miratim në Kuvend Komunal gjatë këtij muaji. /2LONLINE.com/