Qytetarët e rrugës “Ahmet Prishtina” në Gjilan vazhdojnë ta kenë brengë të tyre mungesën e rrjetit të kanalizimit, si nevojë elementare, në rrugën e tyre ku jetojnë. Me një problematikë të tillë ata ballafaqohen tani e sa vite dhe se zgjidhja e tyre e momentit janë gropat septike, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Banorët e kësaj rruge që gjendet në Rrugën Qarkore të Gjilanit kanë rikujtuar se këtë problematikë e kanë ngritur edhe te institucionet përkatëse të komunës, nga të cilët kanë kërkuar disa herë rregullimin e kanalizimit, madje kanë nënshkruar edhe peticione, por se kjo kërkesë nuk është realizuar akoma.
Shefki Latifaj, në emër të banorëve të kësaj pjese të Gjilanit ku mungon kanalizimi, ka rikujtuar kërkesat dhe peticionet për t’u zgjidhur kjo problematikë, por se, siç thotë ai, deri më sot kjo nuk ka ndodhur.
Latifaj tha se në këtë lagje jetojnë më 25 familje (20 shtëpi), që 10 vite e më shumë, Ata shfrytëzojnë gropa septike në mungesë të rrjetit kanalizimit dhe njëkohësisht bëjnë derdhjen e ujërave të zeza nëpër livadhe apo ara të ndryshme, ku kundërmimi i ujërave të zeza është shumë i madh.
Ai tha se banorët e kësaj rruge edhe njëherë kërkojnë nga organet kompetente të marrin masa dhe sa më parë ta bëjnë instalimin e rrjetit të kanalizimit në këtë rrugë /2LONLINE.com/