Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë (KKMSH) me interesim të shtuar po e përcjellë gjendjen epidemiologjike, pas shtimit të rasteve dhe përhapjes edhe në vatra të reja.
Në mbledhjen e rregullt te KLMSH-së, kryetari Sokol Haliti, ka kërkuar shtim të kontrollit për të siguruar zbatimin e masave të reja të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës thanë se po e përcjellin gjendjen në koordinim edhe me Inspektoratin.
Përndryshe po vazhdojnë masat tjera për zbutjen e gjendjes sociale të familjeve në nevojë, përmes pakove ushqimore emergjente të Komunës së Vitisë. Janë mbështetur edhe familjet e prekura me Covid-19, që kanë pasur nevojë.
Ndërkohë po vazhdon dezinfektimi dhe klorifikimi i objekteve dhe hapësirave publike, por edhe i lokacioneve dhe pronave të familjeve të prekura.