VITET NDRYSHOJNË, VETËM DATA MBETET E NJËJTË – 15 MARS …
Sabit RRUSTEMI
MES PËRRALLASH
Mes përrallash më iku fëmijëria
lazdrimeve të ndëshkuara
gjumi në shtratin prej kashte
m’i mpinte dhimbjet
Më vonë prej përrallash
m’u shfaqën ëndrrat
e s’më lëshuan më
I mbylla o s’i mbylla sytë
ato mendjesh vetëtijnë
Vetëtijnë e bubullojnë
në cast shprazen
e shkojnë
Vetëm njëra më pushtoi
rob më bëri
brenda teje më harroi
Kot përpush rraplloj bërtas
zemërimja s’më lëshon
(15 mars 2012 )
DHE AI VARG I VONË VERE
Sa shi e mërzi
resh këtë natë mbi mua e mbi ty
flokët na i qullë gjethet dherat përmbi
Rrëketë e njelmta që vërshojnë
e gërryejnë përbrenda
nuk i pret asnjë kulm asnjë çati
Është qullur diku dhe ai varg i vonë vere
imja poezi
si ti që u heshte e s’e di ku mbete
(15 mars 2015)
BRENDA ZEMRËS SATE DO FRYMOJ
Atë ditë që do ikësh
(nëse do të ketë ditë që do të pranoj ikjen tënde)
ti nuk do të marrësh malin
Do të marrësh vetëm zemrën time
dhe unë s’do të hatrohem
as do të ndëshkoj që më le pa të
Nga ajo ditë
(nëse njëmend do të ketë ditë të tillë)
brenda zemrës sate do të frymoj
(15 mars 2015)
PIKË ËNDRRE E SYVE TË TU
Sytë e tu më zunë diku lart në horizont
teksa po fluturoja asaj kaltrie të thellë të pafund
për t’u hedhur sa më parë në përqafimin tend
Ti më vure në thumb më shigjetove
përmes një shikimi të ëmbël e të zjarrtë
si ai sy dielli midis vere
Krahët s’ më punuan më
këmbët për trupi m’u ngjitën
në vend ngriva u gurëzova
Pikë ëndrre e syve tu të mbeta
e kush s’ më pa pos teje
E dashur
vetëm brenda syve të tu më mbaj
Larg e më larg buzët nga unë
se n’ vend shkrihem i tëri
brenda qenies sate përjetshëm mbes
(15 mars 2015)
NËN PËRCËLLIMAT E ZJARRIT QË NUK U SHUA
Larg teje mbeta
brenda vetes e dëshirës sime të marrë
Vetëm këto dy drita u nisën pas teje
dritat dhe dora ime e djathtë
dora që të ftonte e të priste
si më të shtrenjtën dhuratë
Ti më shkrumoje sysh e më digjje pa pikë mëshire
siç i djeg bryma lulet e hershme të stinës që presim
e një hap kah unë nuk e bëje
Kot cicërruan e lotuan zogjtë e Çepurit
kot u shkundën e për toke u shtrinë
gjethet e zverdhura të stinës së ikur
Buzët e mia të etura mbetën
të vrara
të thara
nën përcëllimat e zjarrit që nuk u shua
Nuk e di ç pate
as buzët tua ku zunë në thua
Pres të ecësh udhës që dua
( 15 mars 2016)
DERISA TË IKË E MBRAMJA DITË …
Udhëve të përditshme kam bredhur
duke të kërkuar me sy
duke të ndjerë
e pritur pa fund
Aty ku jemi takuar
ku jemi prekur krejt rastësisht
Vetëm mungesa kam shënuar
zemërthyer
te kjo Rrajë e thellë ilire jam kthyer
për t’u çlodhur
e për t’u nisur përsëri ditën tjetër
e ditën tjetër
deri në të sosur
për ta shafitur pakëz
këtë zjarr të hovshëm ndjenjash
këtë vullkan Çepuri që më vlon thellësive
E
ti s’je ndi e gjallë
as edhe njëherë s’je përpushur
një fjalë të vockël sëpaku
gjetheve të zverdhura të kësaj stine në ikje
të ma kishe shkruar
Ke mund t’më shfaqesh
edhe nëpër ndonjë fluskë bore
hapësirave të mia
apo dhe përmes ndonjë pike shiu
për t’ma larguar pak mërzinë
Ke mund të përvidhesh
përmes ndonjë ëndrreje
të më gënjesh pa fjalë
me ata liqene ngjyrë pranverash
që falin veç gjelbrim
Po asgjë
për mua nuk bëre
Thellë diku u fshehe
vetes sime pa gjurmë
duke më lënë mes dhëmbëve të heshtjes
që më gërryen përditë
derisa të ikën dhe e mbramja ditë …
Kurdo që të rishfaqesh
një gotë e stërmbushur pritjesh
do të të pres te porta
dhe hija e mungesës sime
kjo thirravajë e dashurisë së pa shijuar
(15 mars 2019)