Boksieri Gjilanas Violant Sylejmani vazhdon me përgatitjet bazike në Durrës, ku po qëndron aktualisht e ku është duke u përgatitur, për të qenë sa më i gatshëm për kryqëzimin e dorëzave, me kundërshtarët e mundshëm në kategorinë 64 kg Senior.
Ai pritet që denjësisht si edhe deri më tani ta përfaqësojë si është më së miri Klubin e Boksit “Drita”, të cilit i takon, e po ashtu edhe Kosovën për sfidat e radhës që po e presin, si në garat vendore ashtu edhe ndërkombëtare.
Sylejmani bënë të ditur për 2LONLINE, se në muajin shkurt do të jetë pjesëmarrës në garat ndërkombëtare ku me 6 -11 shkurt do të marr pjesë në turneun ndërkombëtar ”Bockan Istvan” në Debrecen të Hungarisë, pastaj me 17 shkurt në turneun ndërkombëtar “Pavarësia”, me 18-26 shkurt në turneun ndërkombëtar “Strangjat” në Sofje të Bullgarisë.
Sipas trajnerëve të tij, Federata e Boksit të Kosovës është shumë e kënaqur me formën që ka arritur boksieri gjilanas, andaj s’do mend se ai është shumë i gatshëm për sfidat që po e presin.
Kosova ka një shpresë të madhe që të merr medalje të artë, po ashtu edhe të rrëmbej ndonjë çmim shumë të rëndësishëm në turnetë e lartpërmendura, kjo falë Violant Sylejmanit, që është edhe njëri ndër boksierët më të mirë të të gjitha kohërave në Kosovë, në boksin amator.
Deri më tani, ai arriti të kishte shumë suksese si në garat vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare ku, kujtojmë se morri edhe nga dy çmime në një turne, ku nuk ka ndodhur më parë, e po ashtu, në vitin 2016 për një pikë nuk ka mundur të shkojë në olimpiadë, ku kualifikimet ishin në Azerbejxhan, por shpresohet që në vitin 2020 siç shihet nga përgatitjet e deritanishme dhe forma e tij, ai sigurisht do të kualifikohet për në Tokio.
Përndryshe, trajnerët e tij, Nazim Halili dhe Musli Zymberi thonë për 2LONLINE se janë shumë të kënaqur me arritjet e Sylejmanit ku ata deklaruan se shfrytëzojnë shumë kohë në ditë, në stërvitje me Violantin dhe janë shumë të kënaqur me nxënësin e tyre dhe arritjet e tij.
Po ashtu Violant Sylejmani është edhe motiv për shumë boksier të rinj që kanë filluar të merren me këtë sport, andaj Gjilani, por edhe Kosova duhet të krenohen me këtë talent.