Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e ka cilësuar ankesën tonë si të bazuar, duke e rrëzuar kështu vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave të qytetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit, thonë përfaqësues të Vetëvendosjes.
Në konferencën e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje! lidhur me këtë, Kryetari Visar Ymeri theksoi se me këtë vendim të Gjykatës Supreme, u pamundësua zvarritja e mëtutjeshme e këtij procesi zgjedhor, dhe u dëshmua se Lëvizja Vetëvendosje pati të drejtë në ankesën e saj.
“Kjo është një fitore e madhe sepse një vendim plotësisht i pabazuar e i jashtëligjshëm, absurd dhe arbitrar, u hodh poshtë sot dhe u pamundësua kjo ndërhyrje institucionale në vullnetin e lirë të qytetarëve, në procesin më demokratik zgjedhor. Kjo erdhi edhe për shkak të trysnisë së qytetarëve dhe të opinionit publik. Kjo dëshmon se mund ta mbrojmë të drejtën tonë, kur të gjithë bëhemi bashkë”, tha ndër të tjera Ymeri.
Ndërkaq, Nënkryetari I Vetëvendosje-s Dardan Sejdiu tha se tani KQZ duhet të veprojë, që të përmbyllet sa më parë ky proces.
“Pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, kërkojmë nga KQZ që të fillojë sa më parë numërimi i votave me kusht dhe votave nga diaspora, menjëherë, në mënyrë që të përmbyllet ky proces dhe të vuloset fitorja e Vetëvendosje-s , edhe në Prishtinë edhe në Prizren”, tha Sejdiu, duke shtuar se sa qysh të hënën, Shpend Ahmeti duhet ta vazhdojë punën në Prishtinë, e Mytaher Haskuka ta fillojë punën në Prizren.
Në fund u falënderuan vëzhguesit që tash e sa ditë po i mbrojnë votat e qytetarëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke kërkuar nga ata që të vazhdojnë me të njëjtën vigjilencë deri në përfundim të këtij procesi.