Tre vite më parë, në 26 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar një vendim skandaloz, i cili siç po shihet vazhdon të lërë pasoja tragjike për Kosovën. Aktgjykimi KO119/14 vendosi që në Kosovë të institucionalizohet kriza, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kushtetuta shkruan se e drejta për propozim të Kryetarit të Kuvendit i takon ”grupit më të madh parlamentar” dhe kjo në të gjitha vendet me demokraci parlamentare interpretohet si e drejtë e atij grupi që ka me vete shumicën e mjaftueshme për ta zgjedhur Kryetarin. Pra nëse nuk e ka njëri grup, kalohet te grupi tjetër për të parë se a e ka atë shumicë. Mirëpo Gjykata Kushtetuese vendosi ta lexojë Kushtetutën në mënyrë perverse, duke u shprehur se kjo e drejtë i takon vetëm subjektit më të madh të regjistruar në KQZ. Pra, jo më Kuvendi e Grupi Parlamentar, por KQZ-ja dhe Subjekti Politik na u bënë kategori kushtetuese dhe faktorë për zgjidhjen e Kryetarit të Kuvendit, thuhet tutje në komunikatë.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u ndërmor në një periudhë kur vendi ishte fare pranë çlirimit prej kapjes së shtetit nga ana e PDK-së. Dhe siç po shihet, edhe tre vjet më vonë, ky vendim është kryekëput instrument në dorë të PDK-së, e cila për pushtet është gati edhe ta shkatërrojë shtetin që e ka kapur dhe e ka bllokuar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një vendim i padrejtë, i marrë prej Gjyqtarësh të anshëm, të cilët madje pikërisht gjatë mbledhjeve për të marrë atë vendim i zhdukën shënimet e mbajtura gjatë hartimit të Kushtetutës, pikërisht sepse në ato shënime shpjegohej saktë e qartë se si e rregullon Kushtetuta këtë çështje. Shënimet u gjetën vetëm disa muaj më vonë, gjë që tregon edhe mungesën e mentalitetit shtetformues të kapësve të shtetit dhe të përfaqësuesve të tyre në Gjykatë Kushtetuese.
Në qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje gjykatat do të çlirohen nga kapja, dhe aktvendime të tilla që janë të padrejta dhe që e bllokojnë përparimin në Kosovë, nuk do të ketë më, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.