Panairi i Librit është një aktivitet kulturor që në Gjilan është organizuar nga viti 1972, pra, edhe në rrethana të okupimit. Sot, fatkeqësisht nuk i rezistoi rrethanave dhe degradimit shumë dimensional të pasluftës, e sidomos të viteve të fundit.
Kështu thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Gjilan, për të shtuar se që nga prezantimi i planit të punës së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në vazhdimësi kanë insistuar që ky Panair të futet në kalendarin e aktiviteteve të drejtorisë. Në mbledhjen e fundit nga drejtuesi i KKRS- së na është kërkuar që të dorëzojmë kërkesë në formë të shkruar.
Andaj, Arbenita Haziri dhe Ilir Hoti, në cilësinë e anëtarëve të Komitetit për Kulturë, Rini dhe Sport nga Lëvizja Vetëvendosje dorëzuan pranë administratës së Kuvendit Komunal në Gjilan, kërkesën për organizim të Panairit në fjalë.
“Kërkojmë nga anëtarët e KKRS-së, që të mbështesin këtë kërkesë dhe të nxjerrin rekomandimin e nevojshëm, që obligon Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të organizojë Panairin e Librit në Gjilan”, thuhet në këtë kërkesë.