U promovua libri: “Amanet Ramazani” me autor Ismail Bardhi

U promovua libri: “Amanet Ramazani” me autor Ismail Bardhi

Organizuar nga SHK “DRITA” në Gjilan, në lokalet e restaurantit “Katana” u promovua libri i dijetarit Prof Dr. Ismail Bardhi para një auditoriumi të gjerë krijuesish e dashamirësh të librit, nga Gjilani, Ferizaji, Shkupi, Presheva, Bujanoci, Medvegja e Prishtina.

Nga Hysen Këqiku

“Amaneti dhe Ramazani janë fjalë dhe emra që edhe tek ne janë shqiptarizuar, pra që përdoren dhe përmbajtja e tyre ka kuptimin fetar dhe kulturor. Amaneti është term që është përdorur para kohës dhe hapësirës dhe është pranuar vetëm nga njeriu. Amaneti te ne përdoret në momentet më të vështira , më të rëndësishme të kohës si: Amanet gjuhën, amanet vendin, amanet nderin, ndërsa Kur’ani thotë: “ Përmbajuni amanetit”…

Tradita muslimane shqiptare me përgjegjësi dhe dashuri e ka kuptuar peshën e amanetit dhe të Ramazanit, respektivisht agjërimit; shqiptari është munduar që nga kjo traditë ta kulturojë kulturën e dhe mënyrën e jetës së tij. Për fat të keq , kohëve të fundit vërehen shenja negative në lidhje me këtë sepse ka forca të ndryshme që mundohen të na zhveshin nga feja dhe nderi dhe ne, në vend që ta “ndihmojmë” islamin, ta burgosim atë që as të tjerët të mos e pranojnë!”…

Kështu autori e fillon pjesën e librit “në vend të hyrjes” për ta vazhduar më tutje me një qasje shumë serioze, përmbajtjesore, këshilluese dhe mbi të gjitha edhe sfiduese para forcave, t’i quajmë kështu kushtimisht, edhe antonimike për sa i përket përqafimit të traditës së agjërimit e të besimit.

Që në fillim auditoriumin me një fjalë përshëndetëse e përshëndeti Mr. Iljaz Mustafa, Kryeimam i BI në Gjilan.
“Prof. Ismajl Bardhi është i njohur si njeri i penës dhe me shkrimet e tij gjithnjë ka qenë kreativ tani na del me një vepër shumë të çmueshme për të cilin autorin e përgëzoj dhe i dëshiroj që në të ardhmen të jetë edhe më kreativ dhe më i frytshëm në fushën e dijes për çka gjithmonë jemi të etshëm”…

Falë dijetarëve si ky ne kemi mundësi të ngjitemi shkallëve të dijes deri në mundësitë tona, sepse vepra e Dr. Sc. Ismajl Bardhit na bën aq kureshtarë që të mos ngopemi së lexuari.

Z. Sulejman Çerkezi, foli kryesisht për rrugën e shkollimit të Ismajl Bardhit duke theksuar se “që prej tre dekadash merret me hulumtimin rreth çështjes së besimeve. Që nga viti 1987, kur është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, profesor Bardhi ka arritur të bëhet njëri ndër emrat më të spikatur të teologjisë islame në rajon. Por pse jo edhe në botë. Profesor Bardhi ka vazhduar studimet pasuniversitare dhe të doktoranturës në Universitetin e Ankarasë ndërsa në vitin 2004 ka marrë titullin profesor. Si profesor i përkushtuar ka punuar në disa vene duke lënë shembull të shkëlqyer në punën e tij edhe krijuese edhe si pedagog i përkushtuar.

Islam Bardhi me librin e tij “Amanet Ramazani” sikur na e ka lënë porosinë se, vetëm kur të shkruajmë vetë libra për fenë tonë jemi në rrugën e sigurt dhe të njëmendtë”.

Mbarshtrimi i lëndës së librit “Amanet Ramazani” është mjaftë e begatë dhe tërheqëse. Ajo paraqitet me një gradacion të interesimi dhe të studimit në atë mënyrë që lexuesin e bën kurioz duke e ngritur prej një hulumtimi në një studim, prej një paraqitje reale në një konstatim, ku vijnë radhazi gjykimet e pjekura dhe shkencore. Porositë e drejta të mësimbesimit janë në një radhitje simetrike të një baraspeshe dhe konstatimi brilant si bie fjala: besimtarë agjëroni,kush është i obliguar të agjërojë, kush është i obliguar të mos agjërojë, çka e prish agjërimin, disa rregulla të agjërimit, syfyri dhe iftari,taravih namazi, bedri, lejletu-I-kadër, itikafi, sadekatu-I-fitri apo vitret deri te Bajrami (festa).
Lidhur dhe ngushtë ngjeshur me logjikën e gjykimeve të drejta të folësve për librin shkëlqyen në mënyrën më të mirë studimore si ajo e profesor Nexhat Rexhës po ashtu edhe e Dr. Selim Selimit.

Në kapitullin e parë “Ramazani pa mileniume” profesor Nexhat Rexha shkruan me respekt dhe përgjegjësi intelektuale dhe me bindjen e tij për mësimbesimin dhe konstatimet e pjekura në atë rrugë të ndritshme se “të gjitha shpjegimet e orientojnë lexuesin dhe e brumosin atë me bindje shkencore në mbështetje të Kur’anit. Në këtë pjesë libri ka të trajtuara të gjitha rregullat e ramazanit si dhe rolin e njeriut gjatë këtij muaji të bekuar. Është me rëndësi të madhe për lexuesin e vëmendshëm të depërtojë në thellësi të këtij libri, i cili të jep mundësi për të kuptuar dilemat që kanë mundur të trajtohen në mënyrë të ndyshme nga teologë dhe nëpër periudha të ndryshme. Ajo që dominon në këtë vepër është niveli i parashtrimit shkrimit si dokumentim dhe fuqi e fjalës bindëse në atë që shkruan autori. Konsideroj se kjo mënyrë e trajtimit është arritje që fuqizon besimin dhe krijon bindje reale në fuqinë e Zotit dhe përcakton rregullat e besimtarit të devotshëm…”

Në kapitujt e më vonshëm të librit “Amanet ramazani” si “Ramazani – leximi lutës i Kur’anit, “Teologjia e Ramazanit” me argumente jo vetëm shkencore por edhe edukative me një metodologji të mbarshtrimit prof . Ismail Bardhi na e sqaron bindshëm se “Ç’është ky “lexim lutës”? pastaj edhe për “strukturat e leximit lutës të Kitabit” .

Përkushtimisht me analizat, thuaja shteruese të autorit të librit, edhe profesor dr. Selim Selimi dha kontributin e tij brilant me përgatitjen e një shkrimi të fokusuar në qëllimin e librit që promovohej.

“Duke e lexuar dhe analizuar këtë vepër shohim se autori në këtë studim, pas një pune të madhe hulumtuese, ka sjellë te lexuesi një studim në interes për lexuesit. Vepra e autorit të mirënjohur Prof. Ismajl Bardhi, i cili që prej tre dekadash mirët me hulumtimin rreth çështjes së besimit. Autori në veprën “Amanet Ramazani” fillon duke paraqitur qëllimin e krijesës njeri në këtë botë nga Zoti është që ai të jetë i nënshtruar, i ndërgjegjshëm vetëm ndaj Perëndisë. Kjo vërtetësi e fesë medoemos vërtetohet në çastet e fillimit dhe të përfundimit të çdo vepre. Ndër këto dëgjueshmëri dhe bindje është edhe urdhri i zotit – agjërimi i besimtarit”- shkruan Dr. Selim Selimi.

Pas kumtesave nga të lartshënuarit u zhvillua një diskutim interesant në frymën e kënaqësisë që dëgjuan nga referuesit profesionist lidhur me librin “Amanet Ramazani” të Dr. Ismail Bardhit.

Mr. Xhahid Ramadani, autori i Librit monografik “Bujanoci , ad maiora”… lavdëroi SHK “Drita” në Gjilan, të cilën e udhëheq Zekirja Abdullahu për organizimin e këtij promovimi e cili u bë shkaktare e mirë e këtij takimi të krijueseve nga shumë qendra urbane të Kosovës dhe jashtë saj. Të shfletohen libra të tilla, si kjo që e promovuam sonte, është një dhuratë shpirtërore e cila ushqen mendjet tona dhe motivon për krijimtari dhe punë të mira gjithmonë në dobi të së vërtetës shkencore, hulumtuese dhe të begatimit të fondit librar në gjuhën e bukur të Naimit tonë të madh – GJUHËN SHQIPE.

KOMENTE